Nuk ka ushqim për bagëtitë

27/03/2013 00:00

Rreth 3 mijë hektarë tokë bujqësore me të mbjella janë nën ujë dhe 200 shtëpi të rrethuara nga uji. Kjo është gjendja e Nënshkodrës tre javë pas hapjes në mënyrë periodike të vazhdueshme të hapjes së portave të hidrocentraleve.

Zona që po përjeton më shumë vështirësi përmbytjen mbetet fshati Obot i Komunës Ana e Malit ku i gjithë fshati është i izoluar dhe komunikimi me pjesën tjetër të vendit kryhet vetëm me varka.

Për kryetarin e komunës së kësaj zone situata vazhdon të jetë kritike, sidomos në bazën ushqimore për bagëtitë, ndërkohë që sipas kryetarit të komunës njerëzit në këtë zonë tashmë janë të demoralizuar dhe kanë humbur cdo shpresë për dëmshpërblim dhe për ndihmë.

“Situata në fshatin Obot vazhdon të jetë problematike. Njerëzit lëvizin vetëm me varka, rrugët janë të bllokuara, vazhdon të jetë e bllokuar rruga në fshatin Goricë, vështirësitë atje sa vijnë e shtohen sepse që nga data 14 e këtij muaji jemi në prezencën e ujit. Niveli i ujit ka pësuar rënie, por sërish situata mbetet e rënduar”, thotë kreu i Komunës, Xhevat Mollca.

Jetesa për banorët e Obotit është në ditët më të vështira, varkat tek molet e improvizura pranë rrugës së Obotit të ngjasojnë me taksitë.

Vas Franja, banon në Obot, ai ka blerë miell në Shkodër dhe po kthehet me varkë në shtëpinë e tij. Oboti është kthyer tashmë në një burg me mure uji, në të cilin jetesa është në kushte ekstreme.

“Oboti është i mbytur më zi se herën e kaluar. As herën e kaluar, në 2010 nuk na kanë dhënë gjë, askush s’ka ardhur të shohë a jemi gjallë a jemi vdekur”, thotë ai.

Top Channel