Kryeministri Sali Berisha kërkoi sjelljen sa më shpejt në qeveri të vendimit që përgjysmon taksën mbi makinat e përdorura.

Rreth dy vjet më parë, qeveria vendosi një koefiçent të lartë për vjetërsinë e makinës, në mënyrë që të nxitej tregu i makinave të reja dhe të ruhej mjedisi nga emetimi i gazrave. Tani, kryeministri thotë se kjo ka krijuar pabarazi dhe problem serioz.

“Ju garantoj se kam shqyrtuar të gjitha taksat e vendeve të tjera dhe nuk kam gjetur të bëhet një pabarazi e tillë, as në vendet e Bashkimit Europian dhe as në vende të tjera. Taksa e makinave të përdorura do të përgjysmohet. Ndalimi i D2 është një vendim shumë i mirë, por nuk mund të penalizojmë qytetarët, sepse del që ai që ka ndihmohet dhe ai që nuk ka ndëshkohet. Kjo nuk mund të pranohet”, deklaroi Berisha.

Ndërkohë, kryeministri u kërkoi disa anëtarëve të kabinetit që të kthejnë në vendime dhe ligje disa propozime të marra nga qyetarët gjatë bashkëbisedimit me ta.

“Për shembull, një nga fermerët shtroi problemin e zgjerimit të fermave, por ligji për 10 përqindëshin i penalizon dhe ia bën të pamundur. Ndaj për tokën bujqësore ai ligj nuk duhet të ketë efekt. Ne nuk mund të pengojmë krijimin e fermave dhe ky ligj e pengon, i rrit koston. Ky ligj duhet të marrë fund për tokën bujqësore”, tha kreu i qeverisë.

Propozimi tjetër i fermerëve që pritet të kthehet në ligj është subvencionimi për njësi prodhimi për ata që prodhojnë në sera me naftë.

Edhe dy propzimeve të tjera që erdhën nga bashkëbisedimi me operatorët tursitikë, për rishikimin e TVSH-së për hotelet dhe heqjen e taksës për chartera-t tursitikë, pritet t’u jepet zgjidhje së shpejti nga Ministria e Transporteve dhe ajo e Financave.

Polemikat për infermieret

Berisha: Rama t’u kërkojë ndjesë. Rama: Të ftoj në debat

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha komentoi një deklaratë të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë një takimi në Korçë.

Zoti Rama tha se burrat e sëmurë duhet të marrin me vete bashkëshortet për t’i mbrojtur nga shpimet e infermiereve, që kërkojnë para për çdo shpim.

Kjo deklaratë, sipas kryeministri Berisha, është fyese dhe e papranueshme si në aspektin profesional, ashtu dhe në atë personal. “Rama të kërkojë ndjesë. Spitalet nuk janë shtëpi publike”, tha kryeministri.

Reagimi i kryetarit të PS erdhi nëpërmjet Twitter-it. Edi Rama i kërkoi kryeministrit debat publik për shëndetësinë kur me mesazhin e tij ngriti pyetjen:

“Pse të mos bëjmë një debat publik për shëndetësinë dhe për atë se kush duhet t’u kërkojë ndjesë jo vetëm infermierëve, por të vdekurve e të gjallëve?”.

Në mesazhin pasues, zoti Rama lë të kuptohet se zoti Berisha nuk do të dalë në debat publik, kur shprehet se: “Një kardiolog në pushtet që rrënoi shëndetësinë dhe një kryeministër që takson më shumë infermierët se veten duhet të ikë me vrap e të fshihet”.

Kreu i opozitës i mbyll mesazhet në Twitter për këtë çështje gjithmonë duke vënë në dyshim, me ironi, gatishmërinë e kryeministrit për debat, kur shkruan se: “Kryeministri le të zgjedhë vendin, kohën, formatin dhe gazetarët dhe aty le të shihen sukseset në shëndetësi”.

Top Channel