Vrau në autobus 22-vjeçarin, lihet në burg Artur Zeqiri

27/02/2013 00:00

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 35-vjeçarin Artur Zeqiri, i cili
mbrëmjen e së shtunës vrau me thikë në zemër 22-vjeçarin Sajmir Çedja,
pas një sherri banal në autobus.

Zeqiri ka pretenduar përpara togave të zeza se viktima i kishte bërtitur kur i ka kërkuar shoferit të ecte, pasi po vonohej në stacion. Ndërsa organi i akuzës, pasi ka rindërtuar skenën e ngjarjes, ka akuzuar Zeqirin për vrasje me dashje.

Mbrëmjen e 23 shkurtit, i riu Çerdja u qëllua dy herë me thikë nga 35-vjeçari Artur Zeqiri, i cili rezulton të ketë precedentë penalë dhe të jetë shpallur në kërkim nga Turqia. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30 të 24 shkurtit, brenda autobusit të linjës Qendër-Uzina e Autotraktorëve. Sapo ka hipur në autobus, në afërsi të Rrugës së Elbasanit, viktima është ndeshur me dy pasagjerë të dehur.

Mes tyre kanë nisur të shkëmbehet dhunë verbale, e cila më pas doli jashtë kontrollit, deri në përplasje fizike. Pas pak minutash Zeqiri e ka qëlluar dy herë me thikë të riun. Njëra prej goditjeve ishte fatale, pasi i kishte prekur zemrën. Pasagjerët që ndodheshin prezent, janë shokuar dhe ulërimat e tyre, bënë që shoferi i autobusit të ndalojë në mes të rrugës dhe të hapë dyert. Vrasësi është larguar duke u fshehur në zonën e “Ali Demit”, ku dhe u arrestua rreth orës 05:00 të së dielës.

Top Channel