Fluks në pediatrinë e Korçës

24/02/2013 00:00

Ambientet e përbashkëta të qëndrimit të fëmijëve si çerdhet, kopshtet apo shkollat mbeten një prej elementëve që favorizojnë përhapjen e virozave në këtë grupmoshë.

Por, rol luajnë edhe temperaturat e ulta, gjë që, veçanërisht në rajonin juglindor, ka shtuar fluksin në pediatrinë  e qytetit të Korçës. Në ditët e fundit të këtij dimri, rastet janë rritur ndjeshëm, duke regjistruar deri në 40 pacientë të vegjël në ditë.

Fëmijët e moshës 0-6 vjeç mbeten ata, të cilët në më të shumtat e rasteve preken nga virozat e stinës, duke bërë që gjendja e tyre shëndetësore të ketë edhe nevojë për trajtimin mjekësor të tyre.

Në ambjentet e spitalit të pediatrisë, aktualisht janë të shtruar 26 fëmijë, të cilët mbahen nën kujdesin e plotë të mjekëve.

Në kushtet kur dimri favorizon së tepërmi përhapjen e këtyre virozave, mjekët këshillojnë kujdes nga ana e nënave, veçanërisht në higjenën vetjake të këtyre fëmijëve.

Top Channel