Rama vijon javën e shëndetësisë

15/02/2013 17:45

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama është takuar sërish me mjekët pasditen e së premtes, në kuadër të javës për shëndetësinë.

Sikurse në takimet e tjera të zhvilluara gjatë javës, lideri i opozitës ka paraqitur programin e PS për reformimin e sistemit shëndetësor.

Në fjalën e tij Rama ka theksuar se synimi i opozitës kur të vijë në pushtet është kthimin e shëndetësisë në një sistem ku të kenë akses të gjitha shtresat.

“Shërbimin shëndetësor duhet ta gëzojnë të gjithë, edhe ata që s’kanë mundësi të paguajnë. Shërbimin shëndetësor duhet ta blejë shteti. Prandaj ne propozojmë Shërbimin Shëndetësor Kombëtar”, ka deklaruar Rama.

Ai ka akuzuar qeverninë për keqmenaxhimin e sistemit shëndetësor për qëllime përfitimi. “Atyre që sot janë në qeveri u interesojnë vetëm kontributet”, ka thënë Rama.

Takimi i fundit që kreu i PS zhvilloi gjatë javës me punonjësit e shëndetësisë ishte në Burrel, ku u shpreh se problemet që hasin mjekët dhe pacientët janë pasqyra më e qartë e falimentimit të sistemit aktual.

“Ne duam ta ndryshojmë rrënjësisht. Të kalojmë në një sistem shëndetësor të bazuar te bindja se shëndeti nuk është mall që blihet, por është e mirë publike që duhet të garantohet. Dhe mbi këtë bazë ne do të shkojmë përpara”, theksoi Rama.

“Arsyeja për të votuar programin tonë në 23 qershor është shumë e fortë, në mënyrë të posaçme për të gjithë ata që dëshirojnë një kujdes shëndetësor të një niveli tjetër dhe një sistem shëndetësor që të mos i përjashtojë të papunët, duke u thënë, s’jeni të siguruar se s’keni punë dhe kur s’keni punë mos u sëmurni se pastaj s’keni lekë dhe kur s’keni lekë nuk mund të kujdesemi për ju”, vijoi ai.

Top Channel