Kryeministri Sali Berisha organizoi një takim të hapur me studentë dhe të rinj në Qytetin Studenti. Në fjalën e hapjes, kryeministri vuri theksin tek objektivi i mazhorancës, “Shqipëria një vend i zhvilluar”, objektiv që sipas kreu të PD-së do të realizohet në 4 vitet e ardhshme.

“Objektivi ynë është që Shqipëria të bëhet një vend i zhvilluar. Ende nuk jemi një vend i zhvilluar sepse një vend i zhvilluar dallohet tek të ardhurat për frymë. Por ne kemi bërë përparime, të ardhurat për frymë janë rreth 9 mijë dollarë”, tha Berisha duke theksuar së Shqipëria ka lënë pas 4 vende të OECD-së sa i përket numrit të banesave për frymë.

Pasi theksoi se vendi ka të gjitha potencialet për t’u shndërruar në një vend të zhvilluar dhe shumë të zhvilluar, kryeministri u ndal tek programi qeverisës i mazhorancës që sipas tij fut Shqipërinë në listën e vendeve të zhvilluara në katër vitet e ardhshme.

Pas fjalës përshëndetëse kryeministri priti pyetjet nga të rinjtë në sallë. Pyetjes mbi avantazhet e taksës së sheshtë kundrejt asaj progresive për zhvillimin ekonomik të vendit, kryeministri iu përgjigj se taksa progresive dëmton ekonominë pasi ndikon në rritjen e evazionit fiskal.

Top Channel