Integrimi, kushtet nuk ndryshojnë

07/02/2013 00:00

Majlinda Bregu, ministre e Integrimit Europian deklaroi se Komisioni
Europian nuk e ka zëvëndësuar interesin që lidhet me çështjen e
proceseve integruese të Shqipërisë me atë të zgjedhjet e qershorit.

Gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologen e saj maqedonase Teuta Arifi, Top Channel e pyeti ministren Bregu nëse pas vizitës së komisionerit Fyle në Tiranë, fokusi Komisionit Europian është vendosur në zgjedhjet e Qershorit, siç u la të kuptohet nga deklarata e Komisionit Europian, në përfundim të vizitës së Fyles në Tiranë.

“Fokusi i Komisionit Europian dhe i vendeve anëtare është shprehur qartë në konkluzionet e të Këshillit të dhjetorit ku thuhet që Shqipëria duhet të bëjë progres dhe të zbatojë në mënyrë të menjëhershme për të marrë një përgjigje pozitive nga vendet anëtare, tre detyrimet e mbetura të paplotësuara. Sigurisht që ka një vëmendje për të parë se si do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare edhe për më tepër ka një vëmendje për të parë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. A do të pranohet nga humbësi i këtyre zgjedhjeve dhe të mos ketë rikthim në retorika bojkoti sikurse ka ndodhur pas zgjedhjeve të 2009-s, kur humbësi kryetari i opozitës Rama nuk pranoi rezultatin e zgjedhjeve, që do të thotë ndryshe, se në fokusin e Komisionit Europian, si Komisioni Europian, si vendet anëtare dhe të gjitha partnerët janë të interesuar që klima e mosbesimit e krijuar në Shqipëri për zgjedhjet parlamentare si rezultat i paraqitjes së një retorike pa fakte për manipulim zgjedhjesh të mos gjejë më vend”, tha Bregu.

Këto komente zonjë Bregu i bëri në përfundim të një takimi që zhvilloi me Teuta Arfin, ministre e Integrimit njëkohësisht zëvëndëskryeministre e Maqedonisë, ku u diskutua çuarja përpara e axhendës integruese për dy vendet fqinje.

Top Channel