Dy propozimet më të fundit të kryeministrit Berisha, heqjen e  tatimit
mbi fitimin nga rrogat nën 30.000 lekë dhe  heqjen e  TVSH për
makineritë e importuara me vlerë mbi 500.000 euro, partia socialiste i
ka quajtur si një kopjim të keq të programit për një Rilindje Shqiptare.

“Kjo copëz e programit tonë për taksimin e ndershëm që kryeministri ka njoftuar se do ta përdorë për të arnuar sistemin e tij rrënues të taksës së sheshtë, merr një rëndësi të posaçme në debatin për taksat. Dhe jo sepse këtë debat qeveria e ka të humbur, pasi programi ynë i ri i taksimit ka mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Por sepse humbjen e këtij debati tanimë e ka pranuar vetë kryeministri, duke futur elementin e parë të progresivitetit në sistemin tërësisht të pandershëm të taksës së sheshtë. Kështu e gjithë propaganda banale e kreut të Qeverisë për gjoja taksën marksiste është diskredituar dje nga vetë kryepropaganduesi”, thotë anëtarja e grupit të punës për Programin e PS, Milena Harito.

Ne sigurisht do ta votojmë këtë copëz të programit tonë për një Rilindje Shqiptare,- tha zonja Harito,- por do të kërkojmë theksoi ajo, që Kryeministri ta vazhdojë kthesën e tij, duke ulur shkallë shkallë taksën e të gjitha pagave deri në 700 mijë lekë dhe sigurisht duke rritur dyfish taksën e rrogës së tij, të ministrave e të deputetëve.

Top Channel