Sërish punësime të reja para zgjedhjeve

24/01/2013 00:00

Qeveria shqiptare shtoi me 240 persona numrin e punonjësve me kontrata
të përkohshme, të cilët do të punësohen në institucionet shtetërore për
vitin 2013. Këtë vit është interesant fakti se në mënyrë të përkohshme,
punonjës do të punësojë edhe Shërbimi Informativ Kombëtar.

Rritja e këtij numri përkon dhe me nisjen e fushatës zgjedhore, ku punësimi, pavarësisht se është i përkohshëm ngre shanset e një partie për të marrë më shumë vota nga një kategori e caktuar individësh të cilët përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2013, në njësitë e qeverisjes qendrore, bëhet 930 punonjës. Shtesa prej 240 punonjësish është dhënë me hollësi sipas lidhjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”, theksohet në vendimin e marrë.

Në vendimin e Qeverisë theksohet në mënyrë të qartë se një nga institucionet kryesore ku pritet të punësohen këta qytetarë është Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale. Sipas vendimit, efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi për SHISH-in përballohen nga shpenzimet korente, të miratuara në buxhetin përkatës të vitit 2013, ndërsa për ALUIZNI-n përballohen nga të ardhurat e vetë institucionit. Vendimi ngarkon ministritë dhe institucionet buxhetore të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave detajimin e numrit të punonjësve në përputhje me kriteret e përcaktuara në vendim.

Top Channel