Finalja e “The Voice of Albania”

24/01/2013 23:30

Nata finale e spektaklit më të ndjekur muzikor në Shqipëri, “The voice of Albania”, në të cilën do të përzgjidhet edhe fituesi i edicionit të dytë të këtij “talentshow”, do të shënojë fundin e një rrugëtimi sa të bukur, aq edhe emocional, i cili ka zgjatur plot 17 javë.

Publiku do të mund të ndjekë në një transmetim live nga ekrani i Top Channel, të premten mbrëma, përfundimin e kërkimit për zërin më të mirë të shqiptarëve.

“Do të ishte shumë bukur, nëse do ta fitoja, por përderisa jam në finale, nuk besoj se ka gjë më të bukur”, u shpreh Jozefina.

“Shpresojmë të japim më të mirën tonë, të paktën në atë që ne dimë të bëjmë, sepse kemi punuar shumë dhe dua t’ua kthej me të mirë trajnerëve dhe Top-it. Uroj të depërtojmë deri te publiku dhe t’i kënaqim edhe ata”, tha Venera.

“Pres të kënaqem në maksimum, të bëj atë që më së miri di të bëj, të këndoj”, ishin fjalët e Matejit.

“Do mundohem t’i shijoj në maksimum të gjitha performancat, që do të jenë njëra më e mirë se tjetra, secila më e veçantë se tjetra”, deklaroi Mjellma.

Sipas producentit të spektaklit, Rezart Aga, nuk do të mungojnë surprizat, por edhe performancat më të mira të 4 finalistëve, Mateji, Venera, Mjellma dhe Jozefina.

“Për ne tani është një përgjegjësi shumë e madhe, duke menduar që në 16 javë u janë ofruar publikut talente të jashtëzakonshme, performanca të jashtëzakonshme dhe një punë e jashtëzakonshme. Do të thoja se për natën finale, padiskutim që do të duhet përqendrim dhe besoj se të gjithë, bashkë me stafin, do të punojmë për një natë gati të paharrueshme. Do të ketë larmi edhe në performanca, besoj se publiku do të shohë në skenë të tilla, ndoshta të pandodhura ndonjëherë në skenat shqiptare. Secili nga trajnerët do të performojë me të përzgjedhurin e tij, një duet shumë të bukur të secilit prej tyre. Do kemi materiale të paprezantuara ndonjëherë. Miriami vjen me një material të ri, të kompozuar enkas për natën finale”, tha Rezart Aga, producent i “The Voice of Albania”.

Do të jetë publiku, ai që do të vendosë edhe fituesin me anë të televotimit, duke finalizuar kështu punën e palodhur të 4 trajnerëve dhe përpjekjet e shumta të të gjithë pjesëmarrësve.

“Shijoni natën finale, shijoni një spektakël që vërtet do të jetë i mrekullueshëm dhe mbi të gjitha, bëhuni pjesë e këtij televotimi. Është momenti i vërtetë i publikut, i cili do të vendosë për zërin më të mirë të këtij edicioni të dytë”, përfundoi Rezart Aga.

Fituesi do të lidhë gjithashtu një kontratë dy-vjeçare me kompaninë e njohur në rang botëror “Universal Music”.

Top Channel