Partia Socialiste vlerëson se buxheti i vitit të ardhshëm do të rrënojë
ekonomikisht vendin. Deputetja socialiste Mimi Kodheli deklaron se kësaj
force politike do t’i duhen dy mandate rresht për të transformuar
vendin sipas parametrave të një vendi të zhvilluar europian.

“Buxheti i 2013 është buxheti i rrënimit ekonomik. Ky është kapaku i rrugës së greminës që ekonomia shqiptare ka marrë që kur kjo maxhorancë mori pushtetin në dorë. Në fakt nuk jemi ne që e themi këtë e thonë institucionet ndërkombëtare, prestigjioze, të cilat e kanë nxjerrë Shqipërinë një ndër vendet më të varfra në botë me 62.1 për qind të popullsisë në nivel varfërie dhe 3.3 për qind e popullsisë në varfëri ekstreme. Këto janë shifra që krahasohen vetëm me vende të Afrikës”, tha Kodheli.

Sipas saj, çdo qytetar shqiptar ka nga 3200 dollarë borxh që duhet t’ia rikthejë atyre që na ia kanë dhënë Shqipërisë.

“Kjo të ben të pamundur rigjenreimin e ekonomisë shqiptare dhe uljen e papunësisë që janë dy indikatorë që e cojnë ekonominë përpara. Kjo e bën të pamundur ringjalljen e Shqipërisë. Eshtë e pamundur që ekonomia shqiptare këtu ku ka shkuar të mund të rimëkëmbet plotësisht me një mandat, prandaj programi ynë do të jetë i shtrirë në dy mandate dhe me shpresën që në fund të këtyre dy mandateve Shqipëria do të jetë absolutisht një vend i barabartë me të gjitha parametrat me një vend të zhvilluar europian”, tha Kodheli.

Top Channel