Shqipëria humb marrjen e statusit të vendit kandidat për herë të tretë radhazi. Vendimi i paralajmëruar u mor në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, që u mblodh ditën e martë në Bruksel.

Në përfundim të mbledhjes, Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule doli në një konferencë për mediat ku inkurajon progresin në Shqipëri dhe i bën thirrje klasës politike për dialog.

“Ne do të rekomandojmë statusin kandidat për Shqipërinë, sapo politikanët shqiptarë të na e mundësojnë këtë nëpërmjet dialogut dhe reformave”, deklaroi komisioneri Fule.

Përfaqësuesja e presidencës qipriote nënvizoi gjithashtu se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë këtu edhe zgjedhjet e vitit të ardhshëm, janë një test thelbësor në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të drejtuar nga Qipro, që ka presidencën e radhës të BE-së, u fol edhe për Kosovën dhe mundësia reale për ta hapur bisedimet për marrëveshjen e stabilizim-asociimit, sapo Prishtina të përmbushë kriteret afat-shkurtëra të përcaktuara më herët në raport-progres.

Këshilli i Ministrave të Jashtëm vendosi t’i japë statusin e vendit kandidat Serbisë, ndërsa çelja e bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë që e ka marrë statusin më parë, bllokua nga Bullgaria. Gjithashtu Këshilli kërkon përpjekje më të mëdha të Greqisë dhe Maqedonisë për zgjidhjen e kontestit të emrit. Megjithatë, komisioneri Fule u shpreh optimist se gjatë presidencës së ardhshme të BE-së, Shkupi mund të marrë një datë për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Top Channel