Festa e PD, kërkohet vota më 23 Qershor

11/12/2012 00:00

Partia Demokratike organizoi një takim në Pallatin e Kongreseve për të festuar 22-vjetorin e krijimit të saj, data historike që themeloi atë që kryetari i saj, Sali Berisha e quajti si “parti e lirive dhe të drejtave nejrëzore”.

Në fjalën e rastit Berisha tha se demokratët janë sot, në 22 vjetorin e themelimit të tyre forca politike kryesore e vendit, forcë e proceseve të zhvillimit dhe mbi të gjitha e besimit të të rinjve.

Pasi bëri një rezyme të 22 viteve, që nga nata e themelimit të Partisë Demokratike, kryeministri u ndal tek zgjedhjet e ardhshme dhe thirrjes drejtuar shqiptarëve, sidomos të rinjve, të votojnë atë që ai e quajti parti të integrimit.

“Mandati i ardhshëm është mandati i Shqipërisë së zhvilluar. Ne jemi ndryshimi sepse në këto vite të krizës më të thellë që Europa dhe bota ka njohur në 90 vitet e fundit, me mundin dhe djersën, sakrificën, qëndruam si Davidi para Goliathit dhe sot ekonomia shqiptare ka rritje 4 herë më të madhe se ajo rajonale. Shqipëria është vendi i vetëm që ka shumëfishuar pagat, ka shumëfishuar investimet e huaja. Shqipëria dixhitale është mosha juaj. Ne jemi ndryshimi. Ne do të shembim murin e bllokimit. Vota e 23 Qershorit është votë e integrimit, votë për të ardhmen, votë për zhvillimin”, mbylli fjalën e tij kryeministri.

Festimet e 22-vjetorit nisën me një reportazh ku tregoheshin arritjet e Partisë Demokratike, që nga themelimi, ardhja në pushtet, rrëzimi në ’97-ën, që në dokumentar cilësohej “rebelimi i armatosur komunist”, e deri tek ardhja në pushtet në 2005, anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave.

Rama: Në 2013, PD në opozitë për të rilindur vetë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama nëpërmjet rrjetit social, Twitter kritikoi reportazhin e paraqitur në nisjen e festimeve të përvjetorit të themelimit të Partisë Demokratike në Pallatin e Kongreseve.

Si i nxjerrë nga arkivat e komunizmit në figurë, tekst dhe zë! Në vende të armikut të klasës, është opozita”, shkruan Rama duke theksuar se 22 vite më parë, PD ishte shpresa, sot është zhgënjimi. Në 2013-n, PS në qeverisje për të rilindur Shqipërinë, PD në opozitë për të rilindur vetë, shkruan kreu i socialistëve.

Top Channel