”Borxhi kërcënon financat”

11/12/2012 00:00

Partia Socialiste, e shqetësuar për nivelet alarmante që ka kapur borxhi kombëtar i Shqipërisë, publikisht i  ka drejtuar disa propozime qeverisë për t’i paraprirë, siç tha kryesocialisti Rama, një katastrofe financiare me pasoja të pallogaritshme nesër.

”Në mënyrë që të mbrojmë librezat e kursimit të qytetarëve, vlerën e rrogave e të pensioneve të sotme dhe të nesërme, nga nja katastrofë financiare që mund të kthehet në rrënim dhe fatalitet nga heqja e kufirit të borxhit, ne duhet të biem dakort të përcaktojmë me ligj masën e borxhit kombëtar”, deklaroi kryesocialisti Rama.

Rama, gjithashtu ka propozuar edhe mekanizmat kontrollues për t’u sanksionuar në  ligj që lidhen me kontrollin e borxhit: “Banka e Shqipërisë, me ligj të llogarisë borxhin publik llogaritur në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. BSH-të njoftojë Kuvëndin në çdo rast kur qeveria shkel kufirin e borxhit”.

Rama i komentoi këto propozime si një ndihmë për qeverinë dhe kryeministrin Berisha, i cili ka kërkuar alternative në lidhje me çështjen e shumë debatuar të borxhit publik. Kryesocialisti Rama, duke iu referuar shifrave zyrtale u ndal edhe tek treguesit  më të fundit të papunësisë.

”Sipas INSTAT, numri të punësuarve në tremujorin e tretë të 2012-s u ul me 10 mijë vënde pune krahasuar me tremujorin e dytë 2012, duke e çuar totalin në 51,500”, evidentoi Rama.

Nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, Edi Rama deklaroi se nuk ka vënd europian që t’i hapë derën Shqipërisë për t’u bërë pjesë e saj, me këtë nivel korrupsioni tashmë të faktuar nga “Transparency International”.

Sipas Edi Ramës, një pjesë e borxhit shkon për të financuar korrupsionin e ulur këmbëkryq në qeverinë Berisha, e cila premtoi qeverisjen e duarve të pastra.

Top Channel