Statusi, reagojnë Berisha e Rama

10/12/2012 00:00

Kryeministri Berisha ia ka faturuar liderit të opozitës Edi Rama fajin për dështimin e Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, kreu i qeverisë ka përsëritur apelin e tij për miratimin e tre ligjeve që ishin edhe rekomandim i Brukselit për dhënien e statusit.

“Përsëris thirrjen time ndaj zotit Rama që t’i votojë ato tre ligje, pavarësisht se dëmin e ka bërë dhe dëmi është i pariparueshëm. Duhet t’i njoftoj shqiptarët se mesazhi që u dërgua në Bruksel ishte qartësisht negativ: ‘Kur ju nuk votoni për veten tuaj, pse do të votojmë ne për ju’”, ka deklaruar Berisha.

Megjithatë, kreu i qeverisë shqiptare ka vënë në dukje se proçesi i integrimit është i gjatë dhe kompleks dhe për këtë arsye, ka thënë ai, ekziston ende mundësia që këto ligje të votohen.

“Është kalkulim absolutisht i gabuar nëse vazhdon të besosh se votimi i tyre ndihmon qeverinë. Jo! Votimi i tyre ndihmonte çdo shqiptar. Mosvotimi do të jetë një faturë shumë, shumë, shumë e rëndë mbi ata që përdorën pushtetin e qytetarëve për t’i bllokuar”, ka theksuar Berisha.

Ndërkohë, kryetari i PS, Rama në reagimin e tij ka nënvizuar se refuzimi i BE-së për dhënien e statusit të kandidatit erdhi për shkak të dështimit në mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Ajo ç’ka lajmësit do të shprehin si argument për mos marrjen parasysh të aplkimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat duhet lexuar me shumë kujdes, në çdo rresht, për të kuptuar që statusi i vendit kandidat është një status që Shqipëria mund ta marrë kur të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme”, ka deklaruar Rama, duke shtuar se nuk mund të anashkalohen krimi dhe korrupsioni.

“Është një status që Shqipëria mund ta marrë kur të japë prova të prekëshme të vullnetit për të luftuar kulturën e pandëshkueshmërisë dhe krimit të organizuar”, ka nënvizuar Rama.

Lideri i opozitës ka shtuar më tej se, statusin Shqipëria do të mund ta marrë vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të cilat sipas tij do t’i mundësojnë vendit të ecë përpara.

“Dhe padyshim, është një status që Shqipëria do ta marrë pas zgjedhjeve të ardhshme, sepse ne jemi shumë të vendosur që mos ta lëmë Shqipërinë të zvarritet në rrugën e rrënimit të mëtejshëm”, ka thënë Rama.

Top Channel