Topalli nuk votoi Adriatik Llallën

07/12/2012 00:00

Prokurori i ri i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, do të nisë punën me votën abstenim të opozitës, që nuk kundërshton emrin e propozuar nga Presidenti, por kohën e ardhjes së dekretit, dhe me votën pro të mazhorancës. Por, jo të të gjithë mazhorances…

Në një votim që, në fakt, kapërceu numrat e deputetëve të koalicionit qeveritar, për shkak të votave pro të Vangjel Dules dhe Kastriot Islamit, mbështetja e të cilëve nuk ishte surprizë.

Ajo që u shndërrua në surprizën e parë të votimit për Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ishte mosvotimi i kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli. Zonja Topalli ishte e vetmja nga deputetët e pranishëm, që nuk mori pjesë në votim.

Ndryshe nga i gjithë grupi parlamentar demokrat, kryetarja e Kuvendit ka bërë xhestin e mospëlqimit për Adriatik Llallën, duke bërë të vlefshme praninë e saj, por siç duket edhe në dokumentin e votimit, ajo ka heshtur me votë.

Zonja Topalli nuk ka bërë publike arsyet përse nuk i dha pëlqimin Adriatik Llallës, por për statistikë politike, kjo është hera e dytë që ajo nuk voton një Prokuror të Përgjithshëm. 11 vjet më parë, ajo votoi kundër Theodhori Sollakut, kur demokratët në opozitë e votuan atë.

Atëherë, zonja Topalli dha këtë shpjegim për votën e saj kundër.

“Mund të mos gjejmë një Falcone, por nuk mund të votoj një anti-Falcone. Në Shkodër thonë se, ‘Presidenti futi dorën në qyp dhe qiti edhe nji ma magjyp’”.

Pas 11 vjetësh, kryetarja e Kuvendit, mund të ketë të njëjtin arsyetim për Adriatik Llallën, por Jozefina Topalli ende nuk ka folur.

Me 75 vota pro dhe opozitën që respektoi vendimin e marrë më herët për
të abstenuar, Kuvendi i Shqipërisë miratoi dekretin e Presidentit të
Republikës duke emëruar si pasuesin e Ina Ramës në postin e Prokurorit
të Përgjithshëm, Adriatik Llallën.

Llalla, veç votave të mazhorancës mori edhe votat pro të Islamit e Dules, ndërsa opozita zgjodhi abstenimin me argumentimin se sipas saj, po shkelet Kushtetuta.

Një ditë më parë zoti Llalla kaloi votimin e parë në komisionin parlamentar të ligjeve, ku u zhvillua edhe një seancë dëgjimore për të. Në fjalën e tij Llalla shpalli si objektiv të punës së tij luftën kundër korrupsionit mes prokurorëve, për të cilët tha se ishte në dijeni dhe njohës i tyre, duke qenë se vjen nga radhët e prokurorëve.

“Për një kohë të gjatë unë kam qenë pjesë e trupës së prokurorëve dhe jam në dijeni të rasteve dhe situatave ku disa prokurorë, në vend që të punojnë për të luftuar krimin dhe korrupsionin, bëhen palë me ta duke luajtur më tepër rolin e avokatit se sa të prokurorit gjatë hetimit të cështjes. Por ju garantoj se këta janë pak, madje shumë pak dhe të njohur nga trupa e prokurorëve dhe qytetarëve edhe pse është krijuar perceptimi se këta përbëjnë shumicën e trupës së prokurorëve”, u shpreh Llalla.

Për atë që konsiderohet si sfida më e madhe e këtij organi, pavarësinë e Prokurorisë, Llalla dha një tjetër mendim. Sipas itj, pavarësinë institucioni i akuzës duhet ta fitojë vetë dhe kjo është e mundshme vetëm për ata hetues që nuk janë implikuar me krimin dhe korrupsionin.

“Ne nuk do të presim që pavarësinë të na e japin ata, ndaj të cilëve ne duhet të jemi të pavarur, ne këtë pavarësi duhet ta fitojmë vetë me punën tonë. Nëse prokurori nuk ka bërë pakt me krimin, nëse prokurori merr vendime të bazuara në ligj, atëherë ai është i pavarur nga krimi, është i pavarur nga politika, është i lirë të marrë çdo vendim që i dikton ligji dhe bindja e tij e brendshme”, theksoi Llalla.

Opozita nuk pati kundërshtime për kandidaturën e përzgjedhur nga presidenti i Republikës, por rishpjegoi votën e saj abstenuese. “Ne e konsiderojmë dekretin e presidentit të Republikës antikushtetues, kjo dhe pa pasur objeksione lidhur me kandidaturën e zotit Llalla. Ndaj për këtë shkak, pra, pse procedurialisht dekreti i presidentit është antikushtetues, pse nuk duhet të vinte në këtë kohë, por në kohën kur i takon, ne abstenojmë në këtë votim”, tha deputeti socialist Sajmir Tahiri.

Ndërsa në një prononcim për Top Channel të pak ditëve më parë, deputeti socialist dhe sekretari për Cështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, akuzoi presidentin Nishani për shkelje të Kushtetutës duke krijuar një rast të paprecedent të fuqisë prapavepruese të saj. 

Adriatik Llalla më parë ka mbajtur postin e kreut të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë. Ai do të udhëheqë organin e akuzës së Shqipërisë për pesë vitet e ardhshme.

Top Channel