“Fieri”, debate në distancë mes palëve

22/11/2012 00:00

Çështja e kreut të Këshillit të Qarkut të Fierit është bërë sërish shkak
për debate në distancë mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës.
Deputeti i PS-së, Armando Subashi ka reaguar sërish ditën e sotme sa i
përket kësaj çështjeje, duke ritheksuar se PS nuk është tërhequr
kurrsesi nga Fieri.

Sipas tij, ai vijon të mbetet një kusht i rëndësishëm nga ana e PS, ndërkohë që ka ftuar sërish Berishën të zbatojë vendimet e gjykatave, të cilat sipas tij janë të formës së prerë pro PS dhe se ndodhen prej kohësh në tryezën e kryeministrit.

Sipas Subashit, tërheqja e padisë nga ana e përfaqësuesit të PS në këtë qark nuk do të thotë ndryshim qëndrimi nga PS, por është një mënyrë që PD të reflektojë dhe të veprojnë sipas ligjit duke zbatuar vendimet e gjykatave.

Menjëherë pas këtyre deklaratave ka reaguar deputeti i PD, Edi Paloka i cili i ka hedhur kategorikisht poshtë pretendimet e Subashit se, tre ligjet e kërkuara nga KE nuk kanë kaluar në komision, duke akuzuar PS për bllokim të vazhdueshëm të tyre me largime nga mbledhjet.

Duke iu referuar çështjes së Fierit, Paloka e ka cilësuar të turpshëm vendimin e kreut të PS, i cili bllokoi në këtë mënyrë integrimin e vendit në BE.

Top Channel