Një numër jo i vogël fëmijësh janë shpallur të humbur ligjërisht në Shqipëri gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Moshat në momentin e zhdukjes variojnë, pozicionet gjeografike të zhdukjes gjithashtu. Pas kanë lënë misterin e zhdukjes, dhimbjen e familjarëve dhe hetimet policore të cilat i kanë lënë ende të hapura dosjet e zhdukjeve të mistershme.

Bleona Mata. Prokuroria për Krimet e Rënda ende nuk e ka mbyllur dosjen hetimore të zhdukjes misterioze të 6-vjeçares Bleona Mata nga fshati Zapod i Kukësit. Hetuesit kanë ngritur tre pista hetimore të cilat kanë mbetur ende pa u zbardhur. Zhdukja është veshur nga misteri.
 
Artur Cara
është një tjetër fëmijë i deklaruar i zhdukur ligjërisht. Hetimet për gjetjen e djalit kanë vazhduar intensivisht në fillim të denoncimit të zhdukjes së djalit nga prindërit, por asnjë provë e re nuk ka dalë në dritë nga hetimet për t’i dhënë një indicje policisë në gjetjen e vogëlushit.
 
Nëse flasim për fëmijë të humbur nuk mund të lëmë pa përmendur rastin e Mateo Bejaj, i cili u zhduk në një mënyrë fare të mistershme teksa gjendej pranë ambienteve të banesës së tij. Grupi hetimor, në momentin e zhdukjes, ngriti disa pista për zhdukjen, por edhe pse numri i tyre u reduktua nga hetimet, policia nuk mundi dot të gjente ndonjë pistë për zhdukjen e Mateos së vogël.
 
Në listën e fëmijëve të humbur futet dhe Ervin Bajraktari, i cili u zhduk në 25 dhjetor të vitit 2005 në qytetin e Shkodrës, kur ishte vetëm 6 vjeç. Djali i ditëlindjes 1999 ngriti në këmbë grupin hetimor të policisë së Shkodrës, por hetimet nuk çuan në asnjë pistë për gjetjen e tij.
 
Kledis Bajraktari është një tjetër fëmijë i zhdukur. Ai ishte 8 vjeç kur familjarët humbën kontaktet me djalin e tyre. Sipas grupit hetimor, zhdukja e djalit u bë në qytetin e Shkodrës në 25 dhjetor të vitit 2005.
 
Familjet e tyre mbajnë mbi supe një dhimbje të madhe, e cila për shkak të viteve të pritjes për ndonjë lajm nga fëmijët e tyre, po kthehet në “agoni”. Gjithsesi, në dosjet e tyre hetimore ende vazhdojnë të jenë të hapura.

Rasti i Bleona Matës

Bleona Mata tashmë po shënon 2 vjet e gjysmë e humbur. Është zhdukur një mëngjes prilli ndërkohë që ishte e shoqëruar dhe e rrethuar nga 5 persona të afërt me të, ndër të cilat halla e saj dhe mikesha e kushërira të tjera.

Familja Mata u bë një epiqendër mediatike. Ata ishin të pranishëm në studio televizive e gazeta në kërkimin e dëshpëruar për vogëlushen e tyre. Por çfarë ka ndodhur sot në këtë shtëpi?

“Mendja jonë është tek vajza. Kemi besim se është gjallë.”

Drama thjesht pati aktin e parë me humbjen e vajzës së vogël. Morali në këtë shtëpi është fundosur prej kohësh. Bleona sot do të ishte në bangën e fundit të klasës që ka nën kujdestari gjyshi i saj Zenel Mata, i cili ka përballuar këtë tragjedi me dinjitet të pashembullt: “Morali është shkatërruar në këtë shtëpi pas humbjes së Bleonës dhe ndarjes së prindërve të saj. Jemi shumë të stresuar.”

Rasti i Bleona Matës ishte gjithashtu një nga shembujt më të mirë të solidaritetit njerëzor mes shqiptarëve. Një term disi i paragjykuar në vendin tonë, por që u shpreh si kurrë ndonjëherë për vogëlushen nga fshati i thellë i Kukësit.

“Komuniteti është pranë nesh. Policia, mediat dhe banorët e zonës na ngushëllojnë dhe na japin shpresë se vajza do të kthehet”, shprehet Zenel Mata.

Tashmë kërkimet e Bleonës janë shumë më sporadike. Prindërit e saj, pas humbjes së vajzës së vogël, dyshimeve e akuzave, u divorcuan. Vëllai i vogël i Bleonës iu dha në kujdestari të ëmës, Bukuries.

“Shpresojmë që pas gjetjes së vajzës gjërat të rregullohen”, deklaron Zenel Mata.

Zenel Mata ka 10 fëmijë, një grua dhe dhjetëra nipër e mbesa. Deri para 3 vitesh ata qëndronin të gjithë bashkë pothuajse. Edhe të larguarit nga shtëpia vizitonin shpesh kryefamiljarin mësues. Tashmë ajo familje e madhe ka mbetur si një kasolle e shkretë. Zeneli mezi pret pensionin. Shpreson ende që një ditë të bëhet mësuesi i mbesës së tij më fatkeqe.

“Babai i Bleonës ka 5-6 muaj që është larguar nga shtëpia dhe nuk kthehet më. Ai ka kaluar në depresion. Gjendja ime dhe e gruas sime është po aq e keqe. Jemi të sëmurë dhe si përfundim themi që po jetojmë kot”, thotë gjyshi i Bleonës.

Shpresa për këtë burrë është e pashtershme. As vetë Zapodi nuk është më si dikur. Një fshat në kufi të trefishtë mes Maqedonisë, Kosovës e Shqipërisë që pa një nga dramat familjare më të rënda të kohëve të fundit. Stigma ende rëndon mbi 5 personat e fundit që kanë parë Bleona Matën gjallë.

“Ato vijnë në shtëpi, por janë shumë të ftohura. Ndoshta ato vajza nuk dinë gjë, ndoshta ato janë autoret… por ne jemi të detyruar t’i marrim me të mirë sa të gjejmë vajzën”, shprehet Zenel Mata.

Zhdukjet e fëmijëve nëpër botë

Tashmë është shndërruar në një fenomen shqetësues ai i zhdukjes së qindra fëmijëve çdo ditë në Europë dhe në botë. Shumë prej tyre, falë hetimeve, gjenden dhe rikthehen në shtëpitë e tyre. Të tjerë, për fat të keq, nuk kanë asnjë koordinatë edhe sot e kësaj dite.

Fëmijë të rrëmbyer dhe të futur në rrethin e prostitucionit, trafikut të organeve dhe shitjes së lëndëve narkotike. Fenomeni ka një përhapje të gjerë në Indi, Nepal, Filipine, Pakistan, Afganistan dhe Kinë, ku fëmijët rrëmbehen brutalisht. Ballkani nuk mbetet prapa në këtë fenomen. Rumania dhe Bullagaria përmenden në hetimet e shumta si vende ku fëmijët rrëmbehen dhe më pas shiten tek çiftet që nuk kanë mundësi të kenë fëmijë duke kryer në këtë mënyrë një vepër penale.

Scotland Yard ende vazhdon hetimet për zhdukjen e mistershme në Portugali të vogëlushes Maddlie McCann. Vetë kryeministri britanik, David Cameron, ka urdhëruar policinë londineze që të vazhdojë intensivisht hetimet për këtë ngjarje, gjë e cila është kërkuar dhe nga familjarët e vogëlushes. Kërkesa e prindërve u bë pikërisht ditën kur vajza do të mbushte 8 vjeç. Prindërit e Maddlie kërkuan ndërhyrjen e kryeministrit si baba për të gjetur vajzën e tyre, gjë që bëri që Cameron të reagojë.

Vogëlushja Madeleine McCann është zhdukur katër vjet më parë në Praia da Luz, në Portugali, ndërsa mësohet se mund të jetë në Indi. Një vajzë 8-vjeçare që i ngjan shumë është parë nga një grua britanike në tregun e një qyteze. Hetuesit privatë janë njoftuar menjëherë duke kontaktuar me autoritetet indiane.

Mësohet se në këto raste një test ADN-je bëhet për të ditur identitetin e fëmijës, ndërsa vajza ishte parë në shoqërinë e një çifti europian.

Top Channel