Trafiku i drogës Shqipëri-Itali

08/11/2012 00:48

Kishin filluar më 6 maj të vitit të kaluar, hetimet që çuan sot me mbylljen me sukses të një operacioni të zgjeruar të forcave italiane të rendit, të emërtuar “Daku”.

500 kilogramë marijuhanë u sekuestruan dhe 33 persona, shumica shtetas shqiptarë, përfunduan në pranga në disa zona të Italisë, ku organizata italo-shqiptare kishte krijuar një rrjet shpërndarjeje të lëndëve narkotike.

Llogaritet që, çdo ditë në duart e shpërndarësve, qarkullonte një sasi droge me vlerë deri 40 mijë eurosh. Është zbuluar se droga sillej nga Lazarati, nëpërmjet portit të Barit, e fshehur në gomat e kamionëve ose me gomone; nga 150 deri ne 350 kilogramë marijuhanë për çdo udhëtim.

Më pas ajo shpërndahej si brenda, ashtu dhe jashtë Italisë, në Hollandë apo Britani.

Organizata u zbulua falë një pune hetimore shumë të kujdesshme. Duke përfituar nga takimet e antarëve të saj në një mjedis të hapur, në një park të qytetit të Ternit, agjentët përdorën mikrofonat dhe telekamerat.

Pas vëzhgimeve të zgjatura, ata arritën të zbulojnë dhe shkatërrojnë rrjetin e trafikantëve.

Top Channel