Apeli: Arrest shtëpie për Asllan Patriotin

08/11/2012 00:00

Gjykata e Apelit ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë për
ish-koordinatorin e grevës së urisë së ish-të burgosurve politik, Asllan
Patrioti. Ai u arrestua në datën 17 tetor për akuzën e ushtrimit të
ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe
Gjykata e Tiranës kishte vendosur masën “arrest me burg” për
58-vjeçarin.

Pas kërkesës së palës mbrojtëse, Apeli ka vendosur që Asllani të lihet në “arrest shtëpie” deri në përfundim të hetimeve. Prokuroria e ka akuzuar 58-vjeçarin Asllani se i ka kërkuar 700 euro shtetasit italian, Masimiliano Nicolini, si shpërblim për gjetjen e makinës së tij nga policia, ngjarje kjo e ndodhur në qershor të këtij viti. Sipas akuzës, Asllani ka përmendur në bisedat me italianin Nicolini, se shuma e parave i duhej për t’ia dorëzuar një shefi policie, që kishte kontribuar në gjetjen e automjetit të humbur. Fakti sipas Prokurorisë nuk ka ndodhur, pasi i dyshuari nuk ia ka dorëzuar paratë zyrtarit që përmend gjatë përgjimit ambiental.

Arrestimi i Asllanit u bë pak ditë pasi ai lëshoi një deklaratë të fortë ku akuzoi kryeministrin Sali Berishën, se po shpërndante me forcë grevën e urisë. “Do të bëjmë rezistencë. Kryeministri paska dëshirë të shikojë gjak dhe gjak do të ketë. I bëj thirrje të ulet në negociata, ndryshe do të ketë kufoma. Na dha fjalën e malësorit që do e linte grevën të vazhdonte, por dha vendimin për moslejimin e saj”, u shpreh Asllani pranë çadrës ku ishin ngujuar ish-të burgosurit politikë. Avokati i Asllanit ka pretenduar se klientit të tij i është ngritur kurth.

Top Channel