Babai e vrau 21-vjeçarin kur ishte në gjumë

02/11/2012 00:00

Fakte të reja tronditëse kanë dalë në dritë nga grupi hetimor për
vrasjen brenda familjes në Rrethin e Hasit. I riu, i cili u vra me armë
zjarri nga i ati, krim i cili u tentua të fshihet si vdekje natyrale,
është qëlluar për vdekje në momentin që po flinte.

Kjo mësohet nga grupi hetimor, i cili ka nxjerrë konkluzionet paraprake pas arrestimit të autorit të dyshuar të ngjarjes, Binak Nabolli, 71 vjeç, i cili nuk ka pranuar të japë asnjë detaj për motivet e krimit të rëndë. Në këto kushte, për seksionin kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit në Drejtorinë e Policisë së Kukësit, vrasja e të riut 21-vjeçar Ylber Nabolli mbetet një mister, ende i pazbardhur plotësisht, edhe pasi kanë kaluar dy ditë nga ngjarja e rëndë. Burimet e policisë nuk japin detaje të këtij krimi dhe as motivet ndonëse autori, i cili ka pranuar se është ai që e ka vrarë të birin, mbahet në qeli si i ndaluar.

Të vetmet deklarime nga ana e bluve janë “vrasje për motive të dobëta” dhe se 71-vjeçari ka pranuar autorësinë e vrasjes. Asgjë e saktë nuk tregohet nga marrja në pyetje e plakut vrasës dhe as të familjarëve dhe banorëve të tjerë që kanë njohuri për ngjarjen.

U vra në gjumë

Nga ana tjetër, banorët e Hasit, të cilët njohin familjen Nabolli tregojnë se vrasja e djalit ka ndodhur në mëngjes herët, madje ai është qëlluar në gjumë nga babai 71-vjeçar, të cilin e përshkruajnë, si jo shumë të ekuilibruar mendërisht. “Është një plak, jo shumë normal dhe ka vrarë djalin më të mirë mes tre djemve të vet”, tha një banor i Krumës, me origjinë nga Kosturi. Ai shtoi se siç ishin shprehur kushërinjtë e viktimës, djali ishte vrarë në gjumë, në mëngjes herët, dhe jo me pistoletë, por me një pushkë 20-she. Mirëpo, familjarët janë përpjekur ta fshehin dhe vetëm aty nga pasditja, persona të paidentifikuar kanë njoftuar sallën operative të policisë dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e rendit, të cilat kanë marrë në pyetje familjen dhe kanë dalë në konkluzionin se i riu ishte vrarë me armë zjarri. Madje, edhe në familjet e tjera ishte hapur fjala se i riu kishte vdekur nga zemra dhe se do varrosej brenda një kohe shumë të shkurtër.

E zbuloi fisi

Burimet nga policia lokale e Hasit tregojnë se zbulimi është bërë nga njerëzit e fisit, në kohën kur i kanë bërë homazhe para se ta varrosnin. Ata kanë parë njollat e gjakut që rridhnin dhe janë vënë në dyshim që i riu të ketë pasur një vdekje natyrale, nga një atak në zemër, siç i kishte njoftuar familja. Në këto kushte, ata kanë ngritur dyshimet dhe më pas ka mbërritur edhe telefonata në sallën operative të policisë. Gjithashtu, duhet theksuar fakti që deri dje pasdite, ngjarja e rëndë ka pasur vetëm një të ndaluar, pikërisht 71-vjeçarin, i cili ka pranuar vrasjen, por asnjë tjetër për fshehjen e krimit.

Motivet, mister

Në Has tregojnë se duhen motive tepër të forta që djali të vritet nga i ati. Madje, siç tha një burrë 60-vjeçar nga Kruma, “asnjë arsye në botë nuk motivon vrasjen në gjumë të djalit. Vrasja ndodhi në orën 05.00 të mëngjesit dhe krismat e pushkës duhet të jenë dëgjuar nga e gjithë familja dhe komshinjtë”, shprehet ai, duke deklaruar se edhe të tjerët duhet të kishin folur më parë. Megjithatë, policia ka dyshime se ata kanë pasur konflikte në familje herë pas here, pavarësisht se kjo nuk është pranuar zyrtarisht. Vrasja e ndodhur në Kostur komentohet si një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura ndonjëherë në këtë zonë, ku mjaft njerëz gjejnë rastin të shprehin shqetësimin e tyre për faktin që në duart e njerëzve janë shumë armë pa leje, siç ishte edhe rasti i 71-vjeçarit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel