Lleshi: KQZ, e orientuar vetëm nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor

31/10/2012 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti të mërkurën në një një takim anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Presidenti Nishani shprehu bindjen se trupa e re e KQZ-së do të përfaqësojë me integritet punën e këtij institucioni dhe i siguroi për mbështetjen e tij në dhënien, shkëmbimin e informacionit dhe lehtësimin e procedurave burokratike në kuadër të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme parlamentare.

“Zgjedhjet u takojnë qytetarëve shqiptarë dhe nuk janë “domain” i asnjë force politike”, mësohet të jetë shprehur Nishani, sipas njoftimit të bërë publik në faqen zyrtare të Presidencës.

Nishani kujtoi ftesën për t’u konsultuar me partitë politike parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, takime të cilat do të mbahen në fillim të javës së ardhshme.

Në emër të KQZ-së, Kryetarja Lefteri Lleshi e falenderoi Presidentin Nishani për mbështetjen e ofruar ndaj institucionit, dhe e siguroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në punën e tij do të jetë i orientuar vetëm nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor.

Top Channel