Aktivistë të Aleancës Kuqezi janë ndalur sot në qytetin e Ersekës me nismën “Nje flamur në çdo dritare”.

Kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu ka deklaruar se qëllimi kryesor i kësaj aleance nuk është që të pozicionohet majtas ose djathtas, por të largojë drejtuesit e kësaj qeverie e cila nuk po bën atë që duhet për popullin shqiptar.

Spahiu gjithashtu e konsideroi të turpshëm edhe incidentin e vendosjes kokëposhtë të flamurit tonë, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm, Panariti, në Greqi.

“Dhe ne erdhëm në Ersekë për të vendosur flamurin shqiptar në dritaren e çdo familjeje, që nuk ka frikë ta vendosë flamurin kombëtar, sepse iku koha kur vendosej flamuri bardheblu për të bërë ndërtime pa leje. Është koha të ndërtojmë një Shqipëri me simbolet tona kombëtare”, deklaroi Spahiu.

Muajin e kaluar Spahiu promovoi nismën “Një flamur në çdo dritare” në qytetin e Pejës, në Kosovë, ku ftoi shqiptarët nga të gjitha trevat që më 28 nëntor të nisin festën nga pika kufitare e Morinës, që në mënyrë simbolike të thyhet kjo barriere që ndan shqiptarët.

“I ftoj të gjithë shqiptarët, nga Peja e Prishtina, Tetova e Ulqini, Vlora e Tirana, se festa do të përkojë atje ku jemi të ndarë, në murin e shqiptarëve. Në 10 të mëngjesit në pikën kufitare të morinës. Atje ku na kanë ndarë, atje do të do të thyhen barrierat”, deklaroi Spahiu.

Aleanca Kuqezi ftoi të gjitha familjet shqiptare që të vendosin nga një flamur në dritare, me qëllim që deri më 28 nëntor në trevat shqiptare të valojnë më shumë se 10 milionë flamuj kuqezi.

Misioni i Aleancës Kuqezi, sipas Spahiut, është të unifikojë strategjinë e një të ardhmeje për të gjithë shqiptarët të ndarë padrejtësisht para 100 vjetesh.

Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, shkruhet historia e bashkimit dhe krenarisë kombëtare, e cila për shkak qeverive të këqija është harruar.

Top Channel