Berisha: Fajdet, faji edhe i donatorëve

05/10/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha i është rikthyer sërish çështjes së fajdeve,
kur në takimin për 20-vjetorin e Bankës Botërore në Shqipëri, deklaroi
se Qeveria e asaj kohe nuk ishte aktori i vetem ne vend që nuk mundi të
parashikojë dhe ndalë krizën, ne nje perpjekje ndoshta per te ndare
pergjegjesine per 1997.

“Shqipëria kaloi një nga momentet më të dramatike me skemat piramidale dhe një burrë që arriti të bëhej edhe zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, do të gjente forcën integritetin qytetar për të kërkuar falje publike, se nuk arriti të parandalonte piramidat në Shqipëri. Kurrë ndonjëherë, unë nuk kam akuzuar Bankën apo ndonjë institucion tjetër për zhvillimin e tyre, por zoti Lin, duke ditur bashkëpunimin e ngushtë që ne kishim, mendoi se ndofta duhet të kishte qenë më i vëmendshëm për parandalimin e tyre, gjë e cila, përbëri një moment të shkëlqyer transparence”, u shpreh Berisha.

Pavarësisht se nuk pati një reagim publik, kjo deklaratë e Kryeministrit që hedh përgjegjësi edhe tek donatorët mes të cilëve dhe Bankën Botërore për kaosin piramidal të vitit 1997 ka shkaktuar jo pak befasi tek organizatorët e takimit.

Kolapsi i piramidave u shoqërua me pasoja gati dramatike në ekonominë shqiptare. Në vitin 1997 prodhimi i brendshëm u tkurr me me mbi 7 për qind, ndërsa monedha humbi 40 për qind të vlerës në vetëm pak muaj. Mijëra qytetarë humbën kursimet e tyre  dhe tregu u përball me inflacion dyshifror deri në 30 për qind.

Por vec pasojave katastrofike në ekonomi, firmat piramidale u shoqëruan edhe me kosto të mëdha sociale. Mbi 2 mijë vetë humbën jetën nga dhuna që pasoi rënien e piramidave dhe vendi për herë të parë shkoi në prag të luftës civile.

Top Channel