Dosja “Olldashi” në Prokurori

02/10/2012 00:00

Shpenzimi rreth 14 milion dollarë para të takspaguesve shqiptarë për reklamë qeveritare, për Partinë Socialiste nuk ka mbetur vetëm në kuadrin denoncues. Deputeti socialist Eduard Shalsi dorëzoi në prokurorinë e Tiranës një akt-padi për titullarët më të lartë të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve me këtë objekt padije:

“Kërkohet fillimi i ndjekjes penale ndaj Z. Sokol OLLDASHI, Z.Andi TOMA si dhe personave të kallëzuar akoma të paidentifikuar, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryera në bashkëpunim, të parashikuara respektivisht nga  nenet 248, 258 dhe 25 të Kodit Penal”.

Pas dorëzimit të akt-padisë deputeti Shalsi dha këtë deklatë për median.

“Tashmë që kemi hequr imunitetin, e ftojmë Prokurorinë të bashkohet në një proces integrues dhe të japë prova integriteti, duke marrë menjëherë të pandehur Sokol Olldashin. Akuza jonë është e qartë, financim i Partisë Demokratike me paratë e popullit, nëpërmjet të ashtuquajturave njoftime në gazetën “Rilindja Demokratike”, 500 mijë dollarë, nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për të financuar “Rilindjen Demokratike” të Partisë Demokratike. 200 mijë dollarë për Klanin e Frangajve, 100 mijë dollarë të tjera për Fahron e 55″, tha Shalsi.

Deputeti Shalsi tha se Partia Socialiste është duke mbledhur informacione nga të tjera ministri apo institucione shtetërore të përfshirë në skandalin e reklamës shtetërore. Në lidhje me aktpadinë reagoi Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve.

“Në radhë të parë përshëndesim faktin që më në fund, Edi i zotit Rama iu drejtua institucionit të akuzës, pasi për ditë me radhë është rrekur në mënyrë qesharake të bëjë edhe hetuesin, edhe prokurorin edhe gjykatësin, pa bërë dot në fakt asnjerin. Sqarojmë përsëri se nuk bëhet fjalë për reklamë, por për njoftime shpronësimi. Së dyti, dua t’iu informoj se me të marrë njoftimin përmes medias, ministri Sokol Olldashi, i është drejtuar me një letër, që është protokolluar pak minuta më parë, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të kërkuar një hetim të plotë të kësaj cështje dhe për të shprehur gatishmërinë e tij dhe të institucionit që drejton për të vënë në dispozicion të organit të akuzës cdo dijeni dhe cdo dokumentacion që lidhet me cështjen”, deklaroi zëdhënësja e MPPT-së, Arminda Qylafku.

Top Channel