Vëllezërit vlonjatë: Ne, dadot e fëmijëve italianë

27/09/2012 00:00

Dy vëllezërit vlonjatë, Altin dhe Besmir Kaçaj, të akuzuar për
pengmarrjen e dy fëmijëve të një italianeje, kanë mohuar akuzat para
grupit hetimor të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Ata pohojnë se shtetasen italiane, me iniciale V. P., e njihnin prej kohësh, gjatë jetës si emigrantë në Itali. Kishin hyrë në marrëdhënie shoqërore dhe 34-vjeçarja ka ardhur disa herë në Vlorë, gjatë pushimeve të verës, madje edhe me dy fëmijët e mitur 10 dhe 7 vjeç. “Fëmijët na i ka lënë me dëshirë në banesë. Për ta kujdesej familja jonë. Na ka thënë se duhet të punonte në Itali dhe se nuk i mbante dot. Pas kundërshtimit që i kemi bërë, na tha se do të na paguante për këtë shërbim”, mësohet se ka deklaruar Altin Kaçaj para hetuesve, i cili akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pengmarrje dhe shfrytëzim prostitucioni.

Dëshmia e dy vëllezërve

Rasti i pengmarrjes së dy fëmijëve italianë në qytetin e Vlorës po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Një grup hetimor është ngritur urgjentisht pas denoncimit të 34-vjeçares ditën e shtunë, se dy vëllezërit Altin dhe Besmir Kaçaj i mbajnë peng fëmijët e mitur. Pas arrestimit, vëllezërit Kaçaj janë marrë disa herë në pyetje, ku kanë deklaruar pothuajse të njëjtat fakte. Ata kanë qenë të përgatitur për këtë rast, pasi të dy kanë pranuar se fëmijët italianë qëndronin në banesën e tyre me dëshirën e nënës. Kanë pohuar se kanë qenë “dado” të tyre dhe për këtë shërbim u është thënë se duhet të paguheshin. Gazeta “Shqip” ka siguruar një pjesë të dëshmisë së dy vëllezërve, të cilët pohojnë se e njohin denoncuesen e tyre, madje kanë pasur edhe marrëdhënie intime me të. Dëshminë më të plotë e ka dhënë Altini, i cili pretendon se ka qenë më afër me 34-vjeçaren. “Jemi njohur në Itali. Ajo ka pasur dy fëmijë. Mesa mbaj mend, i ka pasur me një shqiptar. Na tha se donte të vinte në Shqipëri për të kaluar pushimet. Ka ardhur dhe ka qëndruar për javë të tëra. Ka qëndruar në shtëpinë time. E kam pritur dhe e kam mbajtur. Kisha një lidhje me të”, ka thënë Altin Kaçaj, teksa ka vijuar se familja e tij ka qenë një “dado” për dy fëmijët e mitur. “Më ka thënë se do të linte fëmijët te shtëpia ime, pasi kishte shumë punë në Itali dhe nuk i mbante dot. Më tha se do të na paguante për këtë shërbim. Unë kam pranuar dhe deklaroj se nuk i kam mbajtur peng dy fëmijët, thjesht m’i ka lënë me dëshirë, kundrejt pagesës” vijon dëshmia.

Shfrytëzim prostitucioni

Krahas akuzës së pengmarrjes, dy vëllezërit do të hetohen edhe për shfrytëzim prostitucioni, në dëm të shtetases italiane me iniciale V.P. Verifikimet kanë nisur pas dëshmisë së të dëmtuarës, e cila ka bërë një kallëzim të gjatë ndaj dy vëllezërve vlonjatë. “Hetimet për shfrytëzim prostitucioni do të bëhen pas denoncimit të shtetases italiane. Ajo pretendonte se Altin Kaçaj i ka kërkuar që të prostituonte. Fillimisht, ajo e ka refuzuar një kërkesë të tillë, por ai e ka goditur dhe kërcënuar, për t’i bërë të qarta qëllimet e tij”, thotë akuza. Shtetasja italiane, në dëshminë e dhënë para Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka pohuar se “ai më rrahu dhe më kërkoi që unë të kryeja marrëdhënie seksuale me personat që ai më gjente kundrejt pagesës, duke më kërcënuar se nëse nuk do ta kryeja një veprim të tillë, do më vriste dy fëmijët që kisha lënë në Shqipëri. Aty e kuptova, pse ai kishte këmbëngulur që fëmijët t’i lija në Vlorë”. Më tej, ajo ka treguar para policisë se është detyruar të bëjë çfarë kërkonte ai, ndërsa çdo herë që e takonte i lutej të fliste në telefon me fëmijët e saj, aq sa për t’u dëgjuar zërin. Por, gjithmonë e më shumë, ai tregohej agresiv, duke e dhunuar, ndërsa ajo humbte shpresat se mund të dilte nga ky makth. “Gjithçka m’u duk se mori fund për mua. Më pas, ai erdhi në Shqipëri dhe për kujdestar më la vëllain e tij. Zakonisht, klientët paguanin nga 300 deri në 400 euro, ndërkohë që në një ditë më duhej të bëja 600 deri në 800 euro që ai të ishte i kënaqur. Përndryshe, ai më rrihte dhe vazhdonte me kërcënimet e tij”, thotë ajo.

Top Channel