Rama vlerëson panairin e Brukselit

24/09/2012 00:00

Kreu i opozitës Edi Rama gjatë një konference për shtyp i bëri një
rezyme vizitës në Bruksel, javën e shkuar duke e quajtur të suksesshme
dhe si një përpjekje të Partisë Socialiste, që Shqipëria të marrë
statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

“Mora përgëzime nga komisioneri Fyle për rolin e opozitës parlamentare, në funksion të përpjekjes për statusin e kandidatit për Shqipërinë, si dhe një mesazh inkurajues për mundësinë që Shqipëria të mund ta kalojë provimin e kësaj vjeshte, duke vazhduar këtë përpjekje deri në sekondën e fundit.Ne socialistët do bëjmë gjithçka mundemi që Shqipëria e shqiptarët të mos ndëshkohen për herë të tretë radhazi këtë vjeshtë”, tha Rama.

Rama ka kritikuar Qeverinë, e cila sipas kryesocialistit, nuk ka organizuar ende një ceremoni të denjë për 100-vjetorin e Pavarësisë.

“Jam shumë krenar për ekspozitën që realizuam në Parlamentin Europian për 100-vjetorin e Pavarësisë. Prezantuam një Shqipëri befasuese, qoftë në imazh, qoftë në shije. Morëm jo vetëm komplimentet e dhjetëra e dhjetëra eurodeputetëve, por edhe  mesazhe falënderimi nga qindra qytetarë që vazhdojnë të na përgëzojnë. Së shpejti kemi një surprizë tjetër. Fatkeqësi që Qeveria, deri sot, nuk ka arritur të bëjë dot akoma as edhe një ceremoni të denjë për 100-vjetorin. Vetëm shfaqje surrogato të mendësisë provinciale dhe të kulturës së realizimit socialist”, tha Rama.

Edhe njëherë tjetër Edi Rama përsëriti qëndirmin e PS-së se statusin e vendit kandidat e meritojnë shqiptarët,  por jo Qeveria.

“Shqipëria evropiane për ne është një vizion shumë më i gjerë dhe shumë më i thellë që duhen miratuar por që pastaj nuk implementohen askund, duke e thelluar hendekun e asaj që thotë ligji dhe hendekun e asaj që ndodh përditë me institucionet e shtetit dhe me qytetarët e këtij vendi, të mbetur pa shtet në mbështetje të tyre, në një vend të kthyer në një xhungël paligjshmërish”, tha Rama.

Top Channel