Aksident rrugor, vdes nëna me foshnjën e saj

06/09/2012 00:00

Një nënë 28-vjeçare dhe djali i saj, 4-muajsh kanë humbur jetën mesditën
e se enjtes në një aksident tragjik. Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin
rrugor Kavajë- Plepa, në afërsi të Golemit, kur një automjet i tipit
Benz me targa angleze ka përplasur nënën dhe foshnjen e saj.

Si rezultat i shpejtësisë së mjetit përplasja ka rezultuar fatale për Violeta Metanin me banim në Rrogozhinë dhe djalin e saj 4-muajsh, Sajmir Metani. Gruaja ka qenë duke kaluar nga njëri krah i rrugës në tjetrin, kur është përplasur nga automjeti i drejtuar nga Latif Tola, 41 vjeç nga Hasi me banim në Angli.

Aksi rrugor në të cilin ndodhi aksidenti është një nga akset më të ngarkuara dhe më të pasistemuara përsa i përket lëvizjes së këmbësorëve.  Mungesa e sinjalistikës horizontale dhe vertikale, trafikndarësit, si dhe vështirësitë e krijuara për këmbësorët përgjatë këtij aksi që lidh veriun e vendit, Tiranën dhe Durrësin me Jugun dhe anasjelltas janë kthyer në makth për qytetarët, këmbësorë apo drejtuesit e automjeteve.

Investimi për këtë rrugë, që ende nuk është dorëzuar nga firma zbatuese e projektit, rezulton aspak funksional, e ka kthyer atë në burim aksidentesh. Mbikalimet në këtë aks janë në distanca të mëdha nga njëri-tjetri, ndërsa e gjithë zona është e banuar.

Top Channel