Dyndje nëpër kopshtet publike

31/08/2012 00:00

Kthimi i emigrantëve por edhe kriza ekonomike, duket se i ka orientuar prindërit të drejtohen drejt kopshteve publike për shkak të kostos më të ulët.

Regjistrimi i fëmijëve në kopshte ka krijuar konfuzion tek prindërit pasi shpesh preferencat e tyre nuk përputhen me kriteret e vëna nga Drejtoria Arsimore. Ashtu si edhe për shkollat, prindërit kërkojne t’i regjistrojnë fëmijët në ato kopshte që ata i konsiderojnë si më të mirë.

Sipas Drejtoreshës së Arsimit Parashkollor në Drejtorinë Arsimore shpesh prindërit kërkojnë t’i regjistrojnë fëmijët në kopshtet afër qendrës së tyre të punës, por një gjë e tillë nuk është e mundur gjithmonë.

Prindërve u është kërkuar për regjistrimin e fëmijëve në kopshte një certifikatë që tregon vendbanimin si dhe një vërtetim që ka  respektuar kalendarin e vaksinimit.

“Procesi i regjistrimit po shkon shumë mirë. Regjistrimi ka nisur të hënën më datë 27 dhe do të vazhdojë deri në 7 shtator. Interesimi i prindërve është në rritje. Ka disa raste që kërkojnë të marrin fëmijët pranë qendrave ku punojnë, por kriteri kryesor është që fëmija do të regjistrohet atje ku banon”, thotë Jonida Matohiti Spahiu, Drejtoreshë e Sistemit Parashkollor në DAR.

Fluksi i madh i kërkesave ka bërë që në kopshtet publike të ketë një numër prej 30 -35 fëmijësh. Regjistrimet vijojnë deri në datën 7 shtator dhe në datën 10, ashtu si dhe për shkollat, është dita e parë  për fëmijët që frekuentojnë kopshtet.

Top Channel