Braçe: Sistemi energjetik në kolaps

22/08/2012 00:00

Deputeti socialist Erjon Brace lëshon alarmin se sistemi energjetik në
vend po zhytet në kolaps të plotë financiar duke bërë me faj për këtë
qeverinë dhe vendimmarrjen e saj politike.

“Vendimet e diktuara apo të orientuara nga qeveria, të vulosura nga ERE, jo vetëm që nuk kanë zgjidhur apo nuk kanë shmangur kolapsin e gjithë sistemit energjitik në Shqipëri, por përkundrazi për shkak të natyrës thelbësisht politike dhe aspak ekonomike dhe financiare, po hedhin barrën e gjithë kësaj flluske të madhe, mbi kurriz të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe të vetmes kompani publike që ka mbetur në sektorin energjetik, që është KESH”, tha Brace.

E detyruar nga gjendja e vështirë financiare e CEZ-it, pak muaj më parë, qeveria orientoi Entin Rregullator të Energjisë të ulte çmimin me të cilin kompania çeke blen energji tek prodhuesi publik KESH, nga 2.83 lekë në 2.2 lekë për kilovat orë.

“Ajo që ka ndodhur është akoma edhe më e rëndë. Enti Rregullator i Energjisë Elektrike, jo vetëm që bën një favor për tre vite, apo për dy vitet e tjera në vijim me 80 milionë dollarë, por ka bërë edhe nje favor, pasi i ka dhënë fuqi prapavepruese vendimit të tij. Pra ka filluar, që nga periudha 1 janar i vitit 2012 dhe përfshin deri në fund të muajit maj. Efekti financiar shtohet edhe me gati 2 miliardë lekë të tjera, ose me 20 milionë dollarë”, tha Braçe.

Për shkak se vetë KESH-i ndodhet në krizë financiare, qeveria ka marrë përsipër që t’i kompensojë me paratë e buxhetit të gjitha efektet financiare vendimi, që ul me 100 milionë dollarë të ardhurat e KESH-it për tre vitet e ardhshme, siç tregon edhë një dokument zyrtar i muajit qershor me firmën e ministrit të Financave.

“Qeveria paratë të sajat i ka? I ka para të taksapaguesve shqiptarë, të cilët jo vetëm paguajnë faturën e shtrenjtë të energjisë elektrike edhe për ata që nuk paguajnë fare energji elektrike në këtë vend, por tani me paratë e taksave të tyre do të paguajnë edhe situatën e vështirë financiare të Korporatës Elektroenergjitike për shkak të vendimeve politike, në favor të një kompanie private, siç është CEZ”, tha Braçe.

Por edhe me ndërhyrjen e qeverisë, gjendja në sektorin energjetik, po përkeqësohet. Zinxhiri i borxheve që ka përfshirë tregun është duke u rënduar. Të dhënat zyrtare, tregojnë se CEZ ka ndaj KESH-it aktualisht 95 milionë dollarë detyrime të papaguara. Nderkohe qe vete CEZ-it, konsumatoret private dhe shteterore i kane qindra milione euro borxhe nga energjia e papaguar. Vetë KESH-i ka rreth 280 milionë dollarë borxh ndaj bankave të nivelit të dytë, qeverisë apo dhe furnitorëve dhe siç pranon vetë KESH po rritet nga dita në ditë.

“Eshtë një histori me shumë para, por është një fluskë, e cila do të plasë shumë shpejt dhe do të bjerë mbi kokën e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, që duhet të paguajnë akoma më tepër, do të paguajnë koston e kësaj krize, do të duhet të paguajnë koston e plasjes së kësaj flluske borxhesh të ndërsjellta midis të gjithë kompanive, që veprojnë në sektorin elektroenergjitik dhe në fund fare do të bjerë edhe mbi kokën e atyre që po investojnë sot në energji, sipas thirrjes së Kryeministrit”, tha Braçe.

Kriza financiare në sektorin energjetik kulmoi zyrtarisht në fund të vitit të kaluar, kur gati infektoi edhe financat publike. KESH e gjendur në vështirësi për shkak të thatësirës dhe nga mospagesat e CEZ-it u detyrua të kërkonte mbështetjen e qeverisë, prej 3 miliardë lekësh, çka vuri në rrezik edhe kufirin ligjor të borxhit publik. Vetëm dy muaj më vonë, përmes një letre zyrtare CEZ-i informoi qeverinë se nuk mund të importonte dot më energji për shkak të humbjeve të mëdha financiare në bilanc. Sistemi është përfshirë tashmë nga një zinxhir i ngatërruar borxhesh, që po zgjerohet edhe jashtë tregut, pasi në fund të tij qëndrojnë bankat si kreditorë të kompanive.

KESH, borxhe HEC-ve private

Përtej optimizmit të qeverisë kriza financiare e sektorit energjetik ka përfshirë tashmë edhe bizneset që kanë ndërtuar hidrocentrale të reja me koncesion, Top Channel zotëron dokumente zyrtarë që tregojnë se prej shumë kohësh koncesionarët nuk po paguhen për energjinë që i shesin Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

Sipas këtyre dokumentave, zyrtarisht deri më tani borxhi i prapambetur ka arritur në 11 milionë dollarë dhe po rritet nga muaji në muaj, pasi KESH nuk ka para të paguajë energjinë që blen prej hidrocentraleve private.
Shumica e hidrocentraleve të dhëna me koncesion janë ndërtuar përmes kredive të marra nga bankat private dhe mospagesa e energjisë, po i vendos ato në vështirësi financiare. Në gjashtë vitet e fundit qeveria ka dhënë rreth 100 kontrata koncesionare që parashikonin ndërtimin e 300 hidrocentraleve, kryesisht të vogla dhe të mesme.

Për të nxitur ndërtimin e tyre, si një nga sfidat më të mëdha politike të saj, qeveria ka dhënë disa garanci duke premtuar mes të tjerash edhe blerjen e çdo sasie energjie që këto HEC-e do të prodhonin me cmime relativisht të larta përmes KESH-it. Por për shkak të krizës që ka përfshirë sektorin, rreziqet po rriten edhe për këto investime, pavarësisht garancive në letër të qeverisë. 
 

Top Channel