Familja Capja i ka dërguar një letër të hapur presidentit Bujar Nishani, kryeministrit Sali Berisha, ambasadorit amerikan Alexander Arvizu, kryeprokurores Ina Rama dhe medias ku rrëzon faktet e policisë lidhur me arrestimin e djalit të tyre Florent Capja.

Florent Capja dyshohet si autori i vrasjes së 35-vjeçarit Gentian Beqiraj kur ky i fundit gjendej në arrest shtëpie.

Familja Capja pretendon se “Florenti, 48 orë përpara vrasjes, ka qenë në Maqedoni”.

“Kemi pamjet filmike të hotelit ku ka qëndruar Florenti ditën e krimit”, lexohet në letrën e hapur të familjarëve të të dyshuarit për vrasje.

35-vjeçari u ekzekutua në banesën e tij, ku ndodhej në arrest shtëpie dhe ku ruhej nga dy policë. Ai u ekzekutua me armë me silenciator në sy të babait të tij, i cili nga shoku i skenës që pa pësoi infarkt dhe humbi jetën.

Pista e parë e hetimit është adresuar tek një krim i kryer disa vjet më parë, që çoi në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, vrasje për të cilën ishte vënë nën akuzë edhe 35-vjeçari Beqiraj, si një prej autorëve të saj.

Për shkak se kishte marrë një plumb në shpatull, atij i ishte caktuar si masë sigurie arresti shtëpiak nën ruajtjen e policisë.

Mëngjesin e së mërkurës, disa persona iu drejtuan apartamentit të Beqirit, në lagjen “Sporti i Vjetër”, dhe policëve që qëndronin tek dera iu prezantuan si shokë të Beqirit.

Derën e shtëpisë e ka hapur pikërisht i ati i tij, ndërsa ata sapo u futën brenda qëlluan për vdekje 35-vjeçarin dhe u larguan.

Që nga koha e implikimit dhe e vënies nën akuzë për pjesëmarrje në vrasjen e Çapjes, Gentian Beqiraj kishte ndryshuar edhe identitet dhe njihej si Ardian Metaj. Policia e Elbasanit arrestoi së pari dy policët që përgjigjeshin për ruajtjen e tij.

Pak pas vrasjes, autombulancat u drejtuan sërish në shtëpinë e Beqirit, pasi familjarët kërkuan ndihmë për të atin, Nezir Beqiri, i cili kishte pësuar infarkt si pasojë e tronditjes nga skena e krimit që kishte pare. Ai ndërroi jetë në repartin e urgjencës, pak pasi kishte mbërritur atje.

Top Channel