Vrasja, rrëfimi i 18-vjeçares

15/08/2012 00:00

“E vrava se ma nxiu jetën, më kërcënonte se do më vriste të gjithë
njerëzit e shtëpisë nëse nuk kthehesha me të. Më shkatërroi mua dhe
prindërit e mi”.

Ky është rrëfimi i 18-vjeçares Nazime Visha dhënë për agjentët e policisë pak orë pas vrasjes së Fiqiri Muçës në fshatin Krrabë. Në pritje të daljes para gjykatës, adoleshentja ka shpjeguar se sapo ka dëgjuar të trokiturat në portën e shtëpisë së gjyshërve të saj dhe zërin e Fiqiri Muçës, ajo ka vrapuar për të marrë kallashnikovin, armë kjo që mbahej nga të afërmit, të cilin më pas e zbrazi mbi 45 vjeçarin, babai i pesë fëmijëve.

Por, ndërsa hetuesit kanë paqartësi nëse bëhej fjalë për një rrëmbim të mirëfilltë apo takim të lënë përmes telefonit midis vajzës dhe viktimës, Top Channel udhëtoi drejt familjes së vajzës në fshatin Malvilëz të Tiranës, atje ku Nazmija pas rrëmbimit në muajin maj nuk ishte pranuar nga prindërit në shtëpi.

Për familjen Visha varfëria nuk është asgjë para asaj që ata e quajnë fatkeqësinë më të madhe të tyre. Një miqësi me familjen e Fiqiri Muçës që u mbyll me turp thonë ata.

Nëntë vjet më parë, kur Nazime Visha ishte fëmijë, Fiqiri Muça u prezantua në shtëpi nga kryefamiljari Beqir Visha. Të dy jetonin nga shitja e druve dhe i zoti i shtëpisë e strehoi atë gjatë dimrit dhe në vijim për shkak të largësisë që viktima kishte me shtëpinë e tij në fshatin Ketë të Burrelit. Miqësia mes tyre u forcua akoma më shumë kur Fiqiriu kërkoi dorën e njërës prej vajzave për të vëllain, martesë kjo që u krye brenda pak muajsh.

“Vajza ka qenë e vogël kur ai ka ardhur këtu”, shprehet Mejte Visha, e ëma e Nazimes.

Por ndërsa Fiqiri Muça vazhdonte të vinte në këtë shtëpi, ikja e vajzës që ende nuk i kishte mbushur 18 vjeç ra si një bombë në këtë familje.

“Piva helm, por më shpëtoi fati im. Na thanë se e mbajti vajzën nëntë ditë në pyjet e Burrelit”, thekson e ëma e vajzës.

Por, për çudi, rrëmbimi apo ikja e vajzës që në atë kohë ende ishte minorene u mbyll për autoritetet: “Ikje me dëshirën e saj nga shtëpia”.

Kur policia e gjeti Nazmije Vishën ajo nuk u kthye më kurrë në shtëpinë e prindërve të saj.

“Nuk e pranuam ne nga turpi i fshatit”, tregon nëna e Nazmijes.

Grupi i hetimit ka fjalinë e fundit të Fiqiri Muçës thënë një dëshmitari shumë të rëndësishëm në këtë ngjarje, taksisit, të cilit i kishte shpjeguar se do të merrnin dikë në fshatin Krrabë. Atë “dikë” që në fakt e vrau 45-vjeçarin.

Top Channel