PD-PS, luftë verbale për imunitetin

13/08/2012 00:00

Silvi Bardhi, zëdhënësja e Partisë Demokratike, theksoi në një dalje për mediat se Edi Rama dhe deputetët socialistë kanë frikë nga “drejtësia, ligji dhe zbatimi i tij” e për këtë arsye bllokuan heqjen e imunitetit dhe statusin e vendit kandidat për Shqipërinë për të tretin vit radhazi”.

“E vërteta absolute është se miliarderët në krye të Partisë Socialiste dhe zoti Rama nuk mund të pranojnë kurrë të heqin imunitetin sepse tmerrohen nga pasuritë e tyre të paligjshme, origjina e tyre nga fshehja e taksave, kontrabanda, grabitja e trojeve dhe pronave të të tjerëve, ndërtimet pa leje dhe trafiqet kriminale”, theksoi zëdhënësja e PD-së.

“Dy ditë më parë, në një takim me të rinjtë eurosocialistë në Jalë, ish-kryeministri Pandeli Majko zbuloi para shqiptarëve shkakun e vertetë të bllokimit më datë 6 gusht nga Edi Rama të heqjes së imunitetit dhe bllokimit të statusit të vendit kandidat. Pyetjes së njërit prej të rinjve se përse Partia Socialiste bllokoi më datë 6 gusht heqjen e imunitetit dhe statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, z. Majko iu përgjigj se Partia Socialiste nuk mund të pranojë heqjen e imunitetit për faktin se këtë e pranojnë ministrat të cilët sipas tij paskan të tyre gjykatësit dhe prokurorët”, shtoi Bardhi.

“Partia Demokratike deklaron edhe nje herë publikisht se asgjë nuk do të mund të bllokojë të drejtën e qytetarëve të lirë shqiptarë për të zhveshur me votën e tyre zyrtarët e këtij vendi nga imuniteti, maska dhe mburoja e zezë e pasurimit të tyre të paligjshëm”, përfundoi daljen për mediat zëdhënësja e Partisë Demokratike.

Rama: Berisha, asnjë provë për akuzat

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reguar përmes rrjetit social Twitter për akuzat e ngritura nga Partia Demokratike lidhur me çështjen e imunitetit.

Lideri i opozitës ka sfiduar kryeministrin duke i kërkuar të verifikojë qoftë edhe një nga akuzat e ngritura ndaj tij, aq më tepër kur, siç thotë zoti Rama, ai nuk gëzon asnjë imunitet.

Sipas kryesocialistit, asnjë vend normal s’do të pranonte një ditë të vetme një kryeministër shpifës që çdo ditë ngre akuza në hava ndaj opozitës e s’vërteton dot asgjë.

“Asnjë provë nuk ka kryeministri për terë atë lumë akuzash ndaj deputetëve të PS, që vijnë nga bota e sipërmarrjes dhe për këtë s’ka lidhje imunuteti”, thekson zoti Rama.

Ndërkohë, jo pa ironi ndaj akuzave, ka reaguar edhe Pandeli Majko, i cili ka theksuar se ndryshimet kushtetuese për imunitetet janë pranuar nga PS, por sipas tij PD kërkon të bëjë lojra politike në këtë vapë gushti.

Zoti Majko thekson se, “kjo është kthyer në një fushë zhurme për të larguar vëmendjen nga problemet reale të shqiptarëve”. Sipas tij, politika aktuale e prodhuar nga demokratët është në nivele vertet diletante.

Top Channel