Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord për një draft me ndryshime kushtetuese për imunitetin, vullnet të cilin ata e shprehën edhe të martën në këshillin e legjislacionit.

Por cilat janë këto? Cilat nene të Kushtetutës ndryshojnë? Në nenin 73 të Kushtetutës thuhet: “Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet”.

Propozimet e ndryshojnë në këtë formë: “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”.

Në të tilla raste Kushtetuta aktuale parashikon që Kuvendi të vendosë me votim të fshehtë. Ndërsa ndryshimet e propozuara nga PD dhe PS kërkojnë që në këtë nen të sanksionohet votim i hapur dhe një seancë me  me dyer të mbyllura për arsye të mbrojtjes së të dhënave.

Neni 126 i Kushtetutës parashikon se: “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndiqet penalisht pa pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Gjykatën Kushtetuese”.

Propozimet fillimisht i shtojnë këtë tij neni këtë paragraf: “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij”.

Më pas i shtohen disa elementë ku thuhet se: “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e vetë gjykatës, përveçse nëse kapet në kryerje e sipër, ose menjëherë pas kryerjes së një krimi”.

Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Gjykatën Kushtetuese. Propozimet për nenin 137, që lidhet me arrestimin e një gjyqtari të lartë, janë të njëjta me ato të gjyqtarëve kushtetues, por në këtë rast propozohet që fillimisht kërkohet autorizim nga KLD, përveç rasteve kur ai kapet gjatë kryerjes ose menjëherë pas kryerjes së një krimi.

Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili mund të vendosë për heqjen e masës.

Ndryshimet vijnë pas një debati të fortë për çështjen e imunitetit mes palëve, por ndonëse kanë rënë dakord, vështirë se këto ndryshime do të kalojnë në Kuvend brenda këtij sesioni parlamentar. Opozita kërkon që përveç imunitetit të ketë një qajse më të gjerë me të tjera ndryshime në Kushtetutë.

Top Channel