Aksident i rëndë rrugor në Shkodër

24/07/2012 00:00

Një aksident i rëndë rrugor ndodhi në orët e para të së martës në hyrje të qytetit të Shkodrës e për pasojë 3 persona humbën jetën dhe një tjetër mbeti e plagosur rëndë.

Nga informacionet paraprake mësohet se një automjet, i drejtuar nga shtetasi 21-vjecar, G. Zaganjori po udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara në rrugën hyrëse të qytetit. Automjeti i ka dalë nga kontrolli drejtuesit të tij dhe ka përplasur për vdekje dy kalimtare për t’u ndalur vetëm pas goditjes së një shtylle.

Si pasojë e përplasjes së fortë, kanë mbetur të vdekura kalimtaret e rastit Xhevahire Dibra dhe Satbete Belinova, përkatësisht 67 dhe 59 vjec. Viktimë e aksidentit ka mbetur edhe drejtuesi 21-vjecar i mjetit, ndërsa është e plagosur rëndë shtetësja Rezarta Cami, pasagjere në mjetin e drejtuar nga i riu.

Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet e para për zbardhjen e plotë të saj.

Top Channel