Për plot pesë vjet në detyrë si president i Republikës, Bamir Topi ka ndjekur një ritual të përditshëm. Daljen nga shtëpia në ora 8:45 minuta me një eskortë pa sirena dhe bllokim rrugësh drejt Presidencës. Por  cila do të jetë dita e fundit në detyrë e Bamir Topit si president?

TopChannel ka ndjekur nga afër orët e fundit të presidentit të pestë pas rënies së komunizmit. Paçka se është dita e fundit në Presidencë, gjithçka rrjedh normalisht si një ditë e zakontë pune.

Presidenti në detyrë menjëherë pasi është akomoduar në zyrë e nis punën, nis një konsultim të shpejtë mbi aktivitetet e ditës dhe mbarëvajtjen e tyre.

Gjithçka është gati për ceremoninë e dekorimit pas vdekjes së publicistit Ardian Klosi, vijohet me dekorimin e diplomatit Shaban Murati, për t’u bërë gati më pas me një ceremoni të veçantë.

Atë të dekorimit të figurave të shquara ndër vite që kanë lënë gjurmë në skudrën e futbollit të Tiranës, njohur edhe si skuadra e zemrës për presidentin Topi.

Skudara e Tiranës është vlerësuar me urdhërin “Gjergj Kastrioti Skëndërbeu”, për të cilën presidenti u shpreh se kjo skuadër nuk ka vetëm histori, por edhe është simboli disidencës shqiptare.

Në zyrë stafi teknik është gati për të regjistruar një mesazh që presidenti kërkon të adresojë tek qytetarët shqiptarë. Së bashku me Mimoza Koçiun, zëdhënësen e presidendit, kryejnë konsultimet e rastit për atë që është edhe intervista e fundit e kreut të shtetit, duke folur për çdo detaj të saj.

Ndërkohë, presidenti ndodhet në zyrë, përballë tryezës mbi të cilën qëndrojnë një mori me shkresash që marrin firmën nga kreu i shtetit.

TCH: Cilat janë ndjesitë që ka Bamir Topi në ditën e fundit të mandatit si president i Republikës?

Bamir Topi: Natyrisht, çdo ditë e presidentit është një ditë e ngarkuar. Mund t’ju them që edhe kjo ditë është mëse e ngarkuar. E konsideroj si një ditë të zakonshme të një nënpunësi të shtetit, sepse në çdo pozicion që të jetë njeriu patjetër që ka një fillim dhe një mbarim. Kështu që duhet parë si pjesë e normalitetit të adminstratës së shtetit. Nuk kam ndonjë ndjesi të veçantë për hir të së vërtetës.

TCH:
Pavarësisht se vlerësimet për punën tuaj i takojnë të tjerëve, do të doja t’ju pyes se me çfarë bilanci, nëse me lejoni të përdor këtë fjalë, e mbyllni detyrën si kreu i shtetit?

Bamir Topi: Ju e thatë mirë që janë të tjetërt, natyrisht mendjet e arsyeshme, politikanët e arsyeshëm, sepse gjatë periudhës time presidenciale kam hasur, sikurse has njeriu në jetë, me politikanë të arsyeshëm dhe të paarsyeshëm. Me njerëz që vërtetë kanë pasur një komunikim qytetar, por edhe me të tjerë që kanë shfaqur një fizionomi jo qytetare. Unë e shikoj këtë pesëvjeçar me një bilanc shumë pozitiv. Bilanc që nuk i shkon një emri, por i shkon shtetit shqiptar. Kështu, unë ndjehem krenar për këtë.

TCH: Tashmë të gjithë e dimë se Presidenca nuk është stacioni i fundit në karrierën politike të Bamir Topit. Cilat janë planet tuaja?

Bamir Topi: Unë jam shprehur herë pas here, në vijim të interesit të gazetarëve. Kam thënë, mesa duket, se unë do të vazhdoj në politikë dhe le të mbesim këtu, sepse në të njëjtën kohë kam dhënë edhe një premtim publik. Deri në sekondin e fundit që unë do të jem në institucionin e presidentit, nuk do të ketë absolutisht asnjë lloj prononcimi të karakterit politik partiak.

TCH:
A ju vjen keq që protokolli i shtetit gjatë dorëzimit të detyrës nuk ka planifikuar dhënien e mundësisë të një fjalimi lamtumire siç ndodhi me parardhësin tuaj, presidentin Alfred Moisiu?

Bamir Topi: Jam njeri pa komplekse, që do të thotë, gjërat që kanë në dorë të tjerët dhe protokollin e shtetit e ka Këshilli i Ministrave. Ata kanë vendosur ta bëjnë në këtë mënyrë dhe unë gjithmonë i përgjigjem rregullit dhe natyrisht do ta respektoj në këtë mënyrë, sepse respektoj zyrën e kreut të shtetit. Atë zyrë që kam respektuar gjithmonë para se të vij këtu. E kam respektuar gjatë pesë viteve dhe natyrisht do ta respektoj sa kohë të jem gjallë, në respekt të shtetit.

TCH:
Zoti president, faleminderit për kohën tuaj në këtë ditë të fundit si president i Republikës, në një ditë goxha impenjative për ju dhe stafin tuaj. Edhe njëherë faleminderit.

Bamir Topi:
Ka qënë një gëzim gjithashtu për mua që ju pata në këtë ditë të fundit dhe për të transmetuar si gjithmonë nëpërmjet jush dhe këtij stacioni kaq prestigjioz tek të gjithë shqiptarët të gjitha ato emocione të ditës së fundit të presidentit. Gjithmonë ka një ditë të fundit për diçka, por ka një ditë të parë për diçka tjetër.

E ndërsa presidenti i jepte përgjigje pyetjevet tona, stafi i tij politik është mbledhur në paradhomën presidenciale duke pritur për takimin e lamtumirës, të cilin presidenti e nis me një falenderim duke u shprehur se, së bashku me ta mbyllin një pesëvjeçar të suksesshëm, duke theksuar se puna e tij do të ishte e pakuptimtë pa ndihmën e tyre në përmushjen e detyrimeve kushtetuese.

Bamir Topi do të zgjidhej president nga Parlamenti verën e vitit 2007. Pese vjet më vonë, ai po i dorëzon detyrën Bujar Nishanit. E ndërsa zoti Nishani do të ultet në poltronin presidencial, një tjetër sfidë nis për Bamir Topin.

Rikthimi i paralajmëruar në politikën aktive partiake, duke tentuar të jetë ai sfidanti i drejtëpërdrejtë i partisë që e zgjodhi president dhe vetë kryeministrit Berisha.

Top Channel