Lajmi për reformën zgjedhore u prit mirë në Bruksel, por gjatë takimit ndërparlamentar u evidentua se mbetet ende shumë punë për marrjen e statusit. Debati u karakterizua nga vetëlavdërimi i mazhorancës, qortimet e opozitës dhe nga kërkesa e përsëritur e Komisionit Europian për rezultate konkrete, në të gjitha fushat.

Reforma dhe zhvillimet parlamentare

Ditmir Bushati, kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin: “Po, reforma elektorale u finalizua, por vetëm pjesa e proçesit për bërjen e ligjit dhe Komisioni e vendet anëtare na kanë thënë se duhet të masim progresin në termat e zbatimit real, me ndikimin që ka tek jeta e qytetarëve, e jo me numrin e ligjeve apo të vendimeve që miraton Këshilli i Ministrave”.

Fatos Beja, bashkëkryetar i Komitetit PE-Shqipëri: “Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në të gjitha fushat që përmenden këtu, si në konsolidimin e demokracisë, të shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut”.

Ditmir Bushati: “Ne kemi bërë disa hapa, por ende mbesim jashtë të ashtuquajturës masë kritike rezultatesh. Por përsëri apeloj: Status kandidat? Po. Unë dua madje të nisin bisedimet e anëtarësimit e bëj thirrje për çeljen e negociatave. Si anëtar i opozitës, unë dua që në tryezë të hapen kapitujt 23 dhe 24, sepse jam i bindur që kështu do të kishte edhe më shumë nxitje për opozitën shqiptare, por jam i sigurt edhe që për një vit ne do të fitojmë zgjedhjet, e ne do të donim Shqipërinë me status kandidat të fituar e që të vijonim me bisedimet e anëtarësimit e kështu me radhë, sepse kjo do të kishte ndikim në jetët e përditshme të shqiptarëve”.

Fatos Beja: Nëse themi se nuk kemi rezultate te prekshme për reformat në prioritetet kyçe, unë do thoja se kjo vështirë të besohet, sepse ne kemi shënuar hapa para për të gjitha prioritetet”.

Stefano Sanino, drejtor i përgjithshëm për Zgjermin në KE: “Gjatë konsultimeve tona të rregullta me autoritetet shqiptare ne po shohim disa progrese në disa fusha, por është e dukshme se kërkohen rezultate konkrete të mëtejshme në javët dhe muajt që vijnë. Dhe në veçanti funksionimi i shtetit të së drejtës, depolitizimi i administratës publike, reforma në gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të gjitha këto përbëjnë sfidat kyçe për Shqipërinë”.

Eduard Kukan, bashkëkryetar i Komitetit PE-Shqipëri: “Shumë kohë është harxhuar tashmë, ndaj Parlamenti tani duhet të punojë vërtetë në mënyrë efiçente. Reformat e tjera si ajo për rregullat e proçedurës së Kuvendit dhe reforma e gjyqësorit janë po ashtu reforma kyçe”.

Gjyqësori

Saimir Tahiri, PS: “Unë jam një nga dhjetë deputetë të Partisë Socialiste, që janë sot të dënuar ose në proçese gjyqësore në gjykatat e Shqipërisë, për shkak të deklaratave në fuksion të detyrës dhe ushtrimit të rolit tim si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Sot që flasim ka 18 çështje gjyqësore ndaj dhjetë deputetëve të Partisë Socialiste, tre prej të cilëve janë këtu, dhe dënimi i kërkuar prej nesh kapërcen shumën 1 million euro. E fillova kështu për të treguar se sot në Shqipëri janë dy standarte, edhe pse të dyja janë pjesë e të njëjtës sëmundje: mungesës së pavarësisë së gjykatave, politizimit të gjyqësorit, nënshtrimit të gjyqësorit ndaj presionit politik dhe pushtetit të parasë. Këto janë dy standarte, nga njëra anë sistemi i pandëshkueshmërisë nëse je zyrtar i lartë, deputet apo ministër, njeri me lidhje familjare, nuk dënohesh nga gjykata edhe kur kryen krime dhe korrupsion. Ndërkohë, nga ana tjetër, në qoftë se drejton gishtin ndaj atij që kryen një krim në detyrë, mund të dënohesh pse i denoncon. Mund të shohësh në televizor një minisër që kërkon favore seksuale nga një studente që kërkon punë dhe nuk dënohet ministri por televizioni. Mund të shkruash artikuj kritikë ndaj qeverisë, por të djegin makinën, të mbyllin gazetën, të rrahin publikisht, dhe këto janë fenomene të cilat ne po i jetojmë”.

Arenca Trashani, PD: “Nuk do të doja të bëja polemika me kolegun parafolës por më duhet ta them se është personi i vetëm që nuk duhet ta bëjë këtë, me një konflikt interesi me qëndrimin që mbajti, sepse ju zoti Tahiri jeni një person i paditur për shpifje dhe fyerje në gjykatën civile të Tiranës. Reforma në gjyqësor është bazuar dhe orientuar në parimet bazë si pavarësia e gjyqësorit, përgjëgjshmëria e gjyqtarëve, transparenca dhe absolutisht një kriter shumë i rëndësishëm është besimi i qytetarëve në këtë pushtet”.

Vasilis Maragos, shefi i Njësisë për Shqipërinë në KE: “Ritmi i reformave në fushën e gjyqësorit, por edhe në fusha si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të përcakojnë një një pjesë të madhe ritmin e integrimit të Shqipërisë, apo vendeve të tjera në BE. Pra, unë do të desha me të vërtetë të nxis të gjithë palët e përfshira, përveç atyre të pranishëm në këtë sallë, vendimarrësve kryesorë në Tiranë, por gjithashtu gjykatësit, të punojnë për ngritjen e një konsensusi kombëtar në luftën kundër gjithë këtyre fenomeneve dhe për të përforcuar performancën e institucioneve në fushën e shtetit të së drejtës. Është e rëndësisë më madhore që Shqipëria të shënojë përparime në këtë fushë”.

Ekonomia

Mimi Kodheli, PS: “Sot rreziku më i madh për stabilitetin makro-ekonomik të Shqipërisë është stoku i borxhit publik i cili vlerësohet të jetë, me të dhënat zyrtare, 60% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, shumë mbi mesataren e vendeve të rajonit. Defiçiti buxhetor vazhdon të rritet në mënyrë të frikshme dhe sot, sipas të dhënave të 5 mujorit 2012, është rritur me 240%. Në një kohë që shqetësimi më i madh është defiçiti i brendshëm i cili vetëm për pesëmujorin e parë është rritur 793% dhe huamarrja e brendshme ka arritur pothuajse 1000%, vetëm për gjysmën e vitit 2012. Kreditë e këqia të cilat kanë arritur nivelin 21% të portofoleve të bankave shqiptare, do të thotë që ekonomia dhe biznesi shqiptar përballen më një problem të madh, që e tejkalon vetëm problemin e likuiditetit i cili në treg sot thithet nga nga qeveria shqiptare për të mbuluar defiçitin e saj buxhetor”.

Florion Mima, PD: “Isha betuar të mos debatoj apo të reagoj ndaj fjalëve dhe mendimeve të kolegëve të Partisë Socialiste. Dhe do ta respektoj këtë angazhim pasi do të tregoj vetëm të vërtetën. Kur flasim për kreditë e keqëia, kush nga kjo zyrë mund të më shpjegojë se ç‘punë ka qeveria me nivelin e kredive të këqia. Janë kredi që bankat i japin kompanive private, e që nuk respektohen nga këto të fundit, pra cili është këtu roli i qeverisë. Por unë po ju them se ideja e opozitës ishte që ti shtynin njerëzit të shkonin në Banka për të tërhequr depozitat e tyre. Më lini të mbaroj, po them të vërtetën. Pra, duke ju thënë njerëzve të shkojnë të tërheqin paratë se bankat e liçensuara nga qeveria nuk po i menaxhojnë ato. Por qytetarët u treguan mjaft të mençur që nuk e dëgjuan opozitën”.

Arben Malaj, PS: “Që të mos e mbingarkojmë debatin në një ballafaqim ndërpartiak edhe në këtë sallë të nderuar na ndihmojnë më shumë indekset ndërkombëtare që vlerësojnë se si kanë ecur vendet tona në reformat më thelbësore. Pra, nëse shikojmë indeksin e lirisë ekonomike, e drejta e pronës është në nivelin që quhet “e drejtë e shtypur”, pra që pengon zhvillimin ekonomik të vendit. Pavarësia e gjyqësorit, ose niveli i korrupsionit është në atë masë që në lirinë ekonomike konsiderohet liri e shtypur. Dhe në qoftë se ju e pyetët zonjën Kodheli se çfarë duhet të bëjmë ne, duke filluar dhe nga përkeqësimi i kredive të këqia, është pikërisht kjo: të lirojmë zhvillimin ekonomik të vendit tonë, pra këto pengesa reale”.

Sanino: “Përsa i takon ekonomisë, dua të shtoj se Shqipëria ka ruajtur stabilitet makroekonomik, e pavarësisht krizës, ekonomia vijon rritjen, megjithëse me një ritëm më të ulët se vitet paraardhëse. Në Shqipëri tashmë nevojitet që të punohet e të bëhen hapa përpara me reformat strukturore e konsolidimin fiskal, në mënyrë që të sigurohet se rritja ekonomike dhe stabiliteti  bazohen në themele solide”.

Liria e shprehjes dhe media

Sanino: “Liria e shprehjes është gjithashtu një e drejtë themelore në komponentin kyç të kriterit politik të Kopenhagenit, dhe si e tillë ndiqet me shumë vëmendje nga Komisioni Europian, përfshirë këtu kur bëhet fjalë për lirinë e medias. Ne besojmë se liria e shprehjes vijon të respektohet në Shqipëri. Hap pozitiv ishte dekriminalizimi i shpifjes, dhe ne po inkurajojmë autoritetet dhe palët e interesuara për të hequr pengesat e mbetura e për të forcuar më tej transparencën e medias, pavarësinë, lirinë dhe profesionalizmin e saj. Kjo përfshin edhe miratimin e ligjit për médian audiovizuale, i cili mbetet pezull në Parlament”.

Valentina Leskaj: “Një numër raportesh nga agjenci të specializuara për lirinë e medias japin sinjale alarmi për dështimin e qeverisë për të zbatuar ligjin. Më lejoni t’ju përmend vetëm katër prej tyre: raporti i Freedom House, i Reporterëve pa Kufij, IREX dhe raporti i Departamentit amerikan të Shtetit, të cilët janë shumë kritikë, e së fundi pati dhe një vizitë të përfaqësueses së lartë për Mediat në OSBE, Dunia Mijatoviç, e cila ishte po ashtu kritike për çështjen e medias. Siç u shpreh dhe zoti Sanino, ne jemi të shqetësuar për ligjin e medias elektronike, i cili ndodhet prej kohësh në parlament, e ne si opozitë po nxisim pothuajse çdo ditë që ai të miratohet, pasi ky ligj është bërë me asistencën e BE-së, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së”.

Reforma zgjedhore, së bashku me Avokatin e Popullit dhe votimin e ligjeve me 3/5, përbëjnë vetëm një pjesë të 12 përparësive të famshme që duhen përmbushur nga Shqipëria. Përveç miratimit të ligjeve, vendi duhet të dëshmojë, në atë pak kohë që ka mbetur deri në vjeshtë, zbatim dhe rezultate konkrete për të merituar statusin kandidat. Në përfundim të diskutimeve 2-ditore, Komiteti i Stabilizim Asocimit PE-Shqipëri miratoi pa ndryshime deklaratën e përbashkët me 8 pika, e cila është publikuar javën e kaluar nga TCH. Takimi i ardhshëm i Komitetit pritet të mbahet në Tiranë më 19-20 dhjetor.

 

Pergatiti: Arta Tozaj 

Top Channel