PS ka përshëndetur atë të cilën e quan reflektim të PD për nismën ligjore të propozuar disa ditë më parë, ku parashtrohen ndryshime kushtetuese në  heqjen e imuniteve të zyrtarëve të lartë.

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj, nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve thotë se ndryshimet kushtetuese meritojnë një vëmëndje të veçantë për të garantuar një proçes sa më transparent.

“Më duhet të vlerësoj deklaratën e bërë nga Drejtori Kabinetit të Kryeministrit  i cili shprehu mbështetjen e faktit që kjo nismë e grupit parlamentar të PD-së ndjek linjën e arsyetimit të propozimit që ka mbajtur me kohë PS; që imuniteti mund të hiqet në rrugë kushtetuese. E vlerësoj këtë si një reflektim pozitiv të PD-së dhe vetë kryeministrit. Nga ana tjetër kjo është një dëshmi e falsitetit të gjithë asaj propogande që ka bërë kryeministri gjatë kësaj periudhe, atij abuzimi politik lidhur me qendrimin e PS. PS është shprehur disa herë në disa qëndrime publike drejtëpërsëdrejti edhe nga kryetari saj, se ne kemi qënë dhe jemi dakort për kufizimin e imuniteteve për zyrtarët e lartë. Por kemi këmbëngulur në mënyrë të vazhdueshme  për ndjekjen e rrugës ligjore, pra përmes ndryshimeve kushtetuese. Ndërsa kundërshtarët tanë kanë bërë sikur e kanë dashur këtë fakt, por gjithmonë kanë hezituar që ta sjellin një propozim të tillë”, thotë Xhafaj.

Zoti Xhafaj i ka cilësuar si të drejta shqetësimet e kolegut të grupit parlamentar socialist,  Erjon Braçe.

“Zoti Braçe është një opozitar model që meriton respektin e të gjithë kolegëe të tij. Kemi një qendrim të përbashkët pasi Braçe nuk është kundër heqjes së imunitit, por nga ana tjetër ai kërkon t’i ndërpritet dora vendosjes së kontrollit politik të Sali Berishës dhe grupit të tij politik mbi institucionet e pavaruara. Ne nuk mund të mendojmë se si do t’i heqim formalisht imunitetin një zyrtari të lartë, por nga ana tjetër duhet të mendojmë se si ta bëjmë Prokurorin e Përgjithshëm, se si ta bëjmë sistemin e prokurorisë shumë më të pavarur, shumë më eficent, shumë më të përgjegjshëm se deri më tani”, thotë deputeti socialist.

Nënkryetari socialist i Komisionit të Ligjeve tha se procedura e këtyre ndryshimeve duhet të jetë shumë e kujdeshme, sic edhe parashikohet në dy nene të rregullores së parlamentit, pasi nuk kemi të bëjmë me proces ligj-prodhues të zakonshëm në Kuvend.

“Deklaratat e disa eksponentëve të PD-së apo disa eksponentëve të partive të tjera që amendimet kushtetuese duhet të miratohen brenda këtij sesioni, është thjesht një hipokrizi ose në rastin më të mirë janë njerëz që nuk njohin as rregulloren e Kuvëndit. Në 2008-ën ka ndodhur dicka jo shumë e pëlqyeshme. Ka pasur ndryshime kushtetuese përmes një procesi jo shumë të pranueshëm në një proces po e them paksa blic. Duhen minimalisht 4 javë që të realizohet procesi në rastin më ideal, që do të thotë në rastin që nuk do të kishte fare debat. Mirëpo këtu flasim, edhe njëherë e theksoj, për ndryshimin e Kushtetutës, nuk fllasim për ato ligjet që i nxjerr si simitet nga furra qeveria e Sali Berishës”, komentoi zoti Xhafaj.

Top Channel