“Berisha s’ka vullnet për reformën”

03/07/2012 00:00

Nga mbledhja e grupit parlamentar të PS kreu opozitës Edi Rama ka
paralajmëruar një dështim të tretë të Komisionit Parlamentar në
përmbylljen e reformës zgjedhore.

Sipas zotit Rama kompromisi është ende larg duke fajësuar qëndrimet e deritanishme të maxhorancës.

“Koha nuk pret, ditët ikin njëra pas tjetrës dhe praktikisht edhe afati i ri për reformën zgjedhore rrezikon të digjet në mungesë të kompromisit. Partia Socialiste në të gjithë ecurinë e punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore i ka bërë të gjitha hapat për të gjetur kompromis. Tani është koha dhe radha e palës tjetër që të japë kompromisin e nevojshëm dhe të mos qëndrojë në pozicionet e vjetra të pas zgjedhjeve 2009, si për KQZ-në, si për transparencën e materialeve zgjedhore, duke kërcënuar kështu integritetin e zgjedhjeve dhe duke paralajmëruar ‘de facto’ një proces të pabesueshëm”, tha Rama. 

Edi Rama ka komentuar edhe cështjen e referendumit të plehrave duke ripërsëritur qëndrimin e PS për nevojën e riformatimit të KQZ-së ashtu siç edhe kërkohet në një prej rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it të formuluara pas zgjedhjeve lokale të 8 majit 2011.

“KQZ-ja vetëm pak ditë më parë dha një tjetër provë spektakolare se është një vegël e pushtetit dhe merr vendime vetëm për hesapet e pushtetit, duke e bërë praktikisht të pamundur referendumin për importimin e plehrave përpara zgjedhjeve të ardhshme. Ne nuk kemi asnjë arsye që të shpresojmë se kjo KQZ mund të sillet ndryshe në procesin e ardhshëm zgjedhore dhe kemi të gjitha arsyet të besojme se riformatimi i saj do të sillte qetësinë dhe normalitet në procesin zgjedhor”, tha Rama.

Refuzimi zhvillimit  së interpelancave me ministrat e kabinetit qeverisës dhe vetë kryeminstrin Berisha, ishte një tjetër shqetësim që ngriti kryesocialisti Rama.

“Vazhda e fatkeqësive për familjet e varfra të minatorëve të Bulqizës tanimë është kthyer në një rutinë, ndërkohë që prej 3 muajsh kryeministri refuzon të përgjigjet në interpelancën e kërkuar për të. Edhe skandali më i fundit që hedh dyshime të rënda mbi përfshirjen e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes për hesape vetjake në një trafik armësh është një tjetër këmbanë alarmi për domosdoshmërinë e transparencës së plotë në aktivitetin e kësaj ministrie”, tha Rama.

Mos kryerjen e këtyre interpelancave kërkuar nga grupi parlamentar i PS-së Edi Rama i ka cilësuar si një degradim të institucioneve shtetërore.

Top Channel