Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk ka humbur asnjë ditë kohë dhe është mbledhur menjëherë, sapo mori mandatin e ri nga Parlamenti, i dyti brenda shtatë muajsh.  Por dita e parë e punës, pas zgjatjes së mandatit, nuk ka shkuar aspak mirë. Rezultati ka qenë zero, pasi palët nuk janë marrë vesh për metodën e punës së Komisionit.

E ndërsa puna në Komision ka ngecur ende pa filluar mirë, ndërkombëtarët vazhdojnë të kërkojnë përmbylljen e reformave, duke vënë edhe afate pas afteve e duke ushtruar presion ndaj klasës politike.

Në studion e lajmeve në Top Channel ishte perfaqesuesi demokrat i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi.

Zoti Bylykbashi tha se ka një pritshmëri dhe kërkesë nga ndërkombëtarët, por ajo që është më e rëndësishme, sic deklaroi ai, është se reformat janë në vetë interesin e shqiptarëve, sidomos ajo zgjedhore që lidhet direkt për zgjedhësit.

Zoti Bylykbashi hodhi poshtë pretendimin e Partisë Socialiste se nuk ka komente për numërimin elektronik nga ODIHR.

“Komentet e ODIHR janë bërë që në muajin maj të njëjta me ato të shkruara për pjesën e identifikimit të zgjedhësve dhe gjatë takimeve që patëm me ekspertët e ODIHR ata thanë se të njëjtat rekomandime për pjesën e identifikimit elektronik vlejnë edhe për numërimin elektronik. Për rrjedhojë pretendimi i PS se nuk kishte komente ishte një justifikim për të bllokuar punën e komisioni në mandatin e rizgjatur”, deklaroi përfaqësuesi demokrat në Komision.

Reforma zgjedhore është shndërruar në një lojë akuzash. Opozita shprehet se ekspertët i kanë marrë detyrat dhe se pretendimi i mazhorancës nuk qendron, ndërsa PD thotë se PS po kërkon bllokimin e procesit. Por cila është e vërteta në këtë mes?

Për zotin Bylykbashi, PS po bllokon punën e Komisionit. Ai tha se në momentin kur sekretaria përgatiti vendimin e autorizuar nga ekspertët, përfaqësuesit e PS-së e refuzuan atë dhe u larguan. PS, tha Bylykbashi, po bllokon punën, duke kërkuar me njërën dorë e duke mohuar me tjerën.

Puna e Komisionit asistohet nga rekomandimet e ODIHR. Amendamentet e hartuara nga ky Komision u paraqiten edhe ndërkombëtarëve të cilët japin opinionin e tyre me shkrim. Por në rastin e numërimit elektronik ky opinion nuk ka mbërritur.

“Ne në praktikën tonë e kemi të detyruar që të përgatisim amendatmente për dhe për opinion i dërgojmë gjithmonë tek ODIHR. Për cdo paketë që kemi miratuar kemi marrë komente. Ne jemi në pritje të komentit me shkrim për paketën e numërimit elektronik”, tha zoti Bylykbashi.

Ndërsa sa i kërkon përbërjes së KQZ-së, përfaqësuesi i PD-së foli për qendrimin e mazhorancës duke deklaruar se nuk ka rekomandim për ndryshimin e përbërjes së KQZ-së por ka një sugjerim në formulën e këtij institucioni për të garantuar paanëshmëri nëpërmjet një konsensusi më të gjërë. “Aktualisht, shtoi Bylykbashi, formula që kemi sot në KQZ është një propozim i PS-së në vitin 2008 dhe ka konsensusin më të gjërë të mundshëm.

Mandati i zgjatur i Komisioni të Reformës Zgjedhore përfundon më datë 10 korrik, që për përfaqësuesin demokrat është koha e nevojshme për të përfunduar reformën nëse PS, sipas tij, nuk e bllokon atë.

Top Channel