Ligji i ri për akcizat ka hyrë për votim në parlament në mënyrë të beftë, i paparashikuar në kalendarin e seancës. Sipas deputetit socialist Erion Braçe, ky veprim është bërë në mënyrë të qëllimshme.

“Në orën 10:04 minuta u shpërnda në parlament ky rend dite, dhe ligji për akcizat dhe ligji për procedurat tatimore nuk janë në rendin e ditës. Pas katër minutash u tërhoq ky rend dite, dhe u shpërnda rendi tjetër i ditës, në të cilin janë të dy projekligjet, edhe ai i akcizave edhe ai i procedurave tatimore. Para pesë javësh ligji për akcizat pasi është diskutuar edhe nëpër Komisione, ka qenë në rendin e ditës së Kuvendit, por pa asnjë shpjegim, pa asnjë vendim të Kuvendit, qoftë edhe tuajin personal, pa iu komunikuar Kuvendit, ai projekligj është nxjerrë nga rendi ditës dhe është lënë jashtë për pesë jave rresht. Ka vetëm një arsye pse u hoq nga rendi i ditës; lobimi i një tregtari të birrës pranë jush, kundër këtij ligji dhe ky është rasti sot për t’ju dëshmuar fare qartë se ky Kuvend merret me qera edhe nga tregtarët e Birrës, thjesht dhe vetëm për interesat dhe biznesin e tyre personal”, deklaroi deputeti socialist, Erion Braçe.

Megjithë kontestimin e opozitës, Kuvendi nisi procedurat për miratimin e ligjit të ri për akcizat. Sipas Ministrit të Financave, Ridvan Bode, ky draft zgjidh probleme të administrimit fiskal të akcizës dhe është bërë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian.

“Çfarë parashikon ligji i ri? Kërkon të sanksionojë të gjithë përvojën e fituar gjatë gjithë kësaj periudhe, kërkon të përmirësojë administrimin e mëtejshëm të kësaj takse, kërkon që në të ardhmen, taksa e akcizës të shndërrohet në njëra prej shtyllave kryesore të të ardhurave në buxhetin e shtetit ashtu sic është në çdo sistem tjetër taksash moderne, tatimi i vlerës së shtuar, taksa e konsumit dhe po ashtu akciza përbëjnë shtyllën kryesore ku mbi 80 përqind e të ardhurave vijnë përmes këtyre dy lloj taksave. Ligji i ri i akcizës synon të përafrojë standardet e kërkuara nga direktiva europiane e vitit 2007 për implementimin e eksperiencave më pozitive dhe unifikimin e procedurave dhe standardeve në administrimin e kësaj lloj takse. Dua t’u them që gjithë ky ligj është hartuar me kontributin e drejtpërdrejtë të Bashkimit Europian”, reagoi Ministri i  Financave, Ridvan Bode.

Por ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj argumentoi se ligji nuk nuk zgjidh çështjet që pretendon qeveria.

“Një ligj të cilin qeveria kërkon ta fusë menjëherë në fuqi, një ligj që kërkon 36 akte nënligjore, që ka jo pak debat mes draftit të qeverisë dhe shqetësimit të komunitetit të biznesit, për një ligj ku nuk parashikohen ndryshime në buxhetin e shtetit, nuk ka asnjë kuptim që qeveria të vrapojë ta vendosë sa më parë në fuqi. Në këtë aspekt ne jemi të shqetësuar që miratimi i ligjit për t’i lehtësuar qeverisë administrimin e akcizave, nuk është një hap për të përmirësuar atë për të cilën Shqipëria klasifikohet negativisht në të gjitha indekset, nuk është një hap në drejtimin e duhur për të përmirësuar miraadministrimin fiskal në sistemin tatimor të vendit tonë”, tha ish-ministri, Arben Malaj.

Në ligjin e ri për akcizat parashikohet që biznesi të ngrijë garanci financiare për të gjithë prodhimin që ka në proces apo dhe në gjendje stoku ende pa e shitur atë. Po kështu ligji fut në akcizë disa produkte energjetike dhe barazon masën e detyrimit për mallrat zëvendësuese.

Shumica bie në 68 vota

Mazhoranca ra në Kuvend në vetëm 68 vota në miratimin e ligjit për akcizat. Rezultati i votimit, në mos një sinjal politik përpara votimit për Presidentin, flet për një mazhorancë të dobësuar jo pak.  Tre deputetë të partise Lëvizja Socialiste për Integrim, përveç Ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço, munguan në votim. Ashtu sikurse edhe deputeti i partisë Fryma e Re Demokratike Gazmend Oketa dhe deputeti Kastriot Islami, që u larguan nga salla përpara votimit.

Në sallë mungonte edhe Shpëtim Idrizi i PDIU, duke tkurrur shumicën jo më në vota, por edhe në prezencë për të çelur qoftë edhe një votim të thjeshtë.

Sipas opozitës, votimi i ligjit për akcizat, vetëm me 68 vota është shkelje ligjore pasi nuk është plotësuar kuorumi i nevojshëm për votim, që në cdo rast është minimumi 71 deputetë.

Kushtetuta , rregullorja e Kuvendit por edhe vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për rastin Beqja, parashikoi në mënyrë eksplicite që në sallë duhet të jenë prezentë 71 deputetë, për t’u zhvilluar votimi. Në këtë rast ligji për akcizat kaloi me 68 vota, anti-Kushtetues, kundër rregullores dhe në kundërshtim me interpretimet e njëpasnjëshme të Gjykatës Kushtetuese. Nga pikëpamja politike jemi para një votimi që dëshmon fundosjen e mazhorancës”, komentoi deputeti socialist, Saimir Tahiri.

Socialistët edhe pse ishin të pranishëm në seancë, kanë tërhequr kartat që vërtetojnë sipas rregullores prezencën e tyre gjatë votimit.Tani pritet nëse Presidenti i Republikës do të dekretojë ligjin për akcizat, për sa kohë një votim me prezencë më të ulët se kuorumi minimal i nevojshëm konsiderohet, të paktën nga opozita si i jashtëligjshëm.

Top Channel