Vrasja e parë e “Wikileaks”

16/05/2012 16:50

Ditën e martë, Irani lajmëroi zyrtarisht se kishte zbatuar vendimin e Gjykatës së Lartë për dënimin me vdekje të një 24-vjeçari, të konsideruar si një spiun i Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një komunikatë e shkurtër specifikoi se Majid Jamali Fashi u var në një burg të sigurisë së lartë në Teheran, ku ai mbahej që kur ishte arrestuar si fajtor për ekzekutimin e një fizikanti bërthamor në kryeqetin e vendit aziatik.

Megjithatë, ajo që nuk u bë e ditur menjëherë pas ekzekutimit, ishte se në fakt, vdekja e tij, i atribuohet faqes së njohur “Wikileaks”, drejtuar nga Julian Assange, që ka publikuar që prej 2010-s me qindra mijëra dokumenta të rezervuara, të diplomacisë amerikane, drejtuar qendrës në Uashington.

Sipas ekspertëve, arrestimi i Fashit u mundësua pas publikimit të një dokument, në të cilin flitej për një takim i tij me zyrtarë amerikanë në Baku, Azerbajxhan.

Me identitetin në dorë, spiunazhi Iranian nuk e pati të vështirë të vendoste nën pranga të riun, që më pas pranoi se kishte qenë ai që kishte shtypur telekomandën që aktivizoi një bombë dhe vrau një shkencëtar bërthamor.

Gjithashtu, ai pranoi se kishte udhëtuar në Izrael, për të marrë më parë trajnim nga Mossad, Agjensia Sekrete Izraelite.

Prej kohësh, agjenturat perëndimore kanë vendosur në shënjestër të tyre “trurin” pas programit bërthamor iranian, me qëllim që të godasin përpjektin atomik të vendit.

Megjithatë, më shumë se ekzekutimi i paralajmëruar i agjentit, detaji që tërheq vëmendjen është se misioni do të kishte mbetur i fshehtë nëse nuk do të kishte qenë për “Wikileaks”, që zbuloi identitetin e Fashit, i shndërruar në këtë mënyrë në viktimën e parë zyrtare të faqes së Assange.

Top Channel