Droga, BE: Shqipëria një vend prodhues

11/05/2012 00:00

Në qëndrimin e Bashkimit Europian për Shqipërinë analizohet edhe ecuria e vendit në kriterin e tretë të Kopenhagenit, atë të përshtatjes së ligjeve shqiptare me legjislacionin europian.

Ndërsa mirëpret progresin në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, politikat për biznesin e vogël dhe të mesëm, marrëdhëniet me jashtë dhe kontrollin financiar, BE rendit vlerësimet për disa fusha të tjera mjaft të rëndësishme:

Pronësia intelektuale

“BE kujton se dobësitë e mëdha të mbetura, të tilla si kapacite administrative të pamjaftueshme, niveli i ulët i gjobave, mungesa e përvojës së duhur e kualifikimeve në gjyqësor, dhe në përgjithësi ndërgjegjësimi i pamjaftueshëm, pengojnë zbatimin real për të drejtat e pronës tregtare, industriale dhe intelektuale. BE kujton se Shqipëria nuk arriti të respektojë afatin kohor të 1 dhjetorit 2010, sipas MSA-së për garantimin e nivelit të mbrojtjes për të drejtën e pronës intelektuale dhe tregtare njësoj si në BE, përfshirë përforcimin efektiv të saj.”
 
Edukimi

“BE nënvizon se përpjekje të mëtejshme kërkohen për të arritur një cilësi më të mirë arsimim e cila i kushton gjithashtu rëndësi nevojave të tregut të punës.”

Siguria ushqimore

“BE inkurajon Shqipërinë të vijojë përpjekjet për të sjellë sigurinë ushqimore, standared veterinare dhe filosanitare më pranë normave të BE-së. Vëmendje e veçantë nevojitet t’i jepet forcimit të kapaciteteve të shërbimeve veterinare për të përmirësuar statusin e shëndetit të kafshëve në vend dhe për të rritur bashkëpunimin ndërinstitucional në këtë sektor. BE inkurajon Shqipërinë të shpejtojë miratimin e ligjit të ri për peshkimin dhe rregullat që lidhen me të dhe të përforcojë luftën kundër peshkimit ilegal, të parregulluar dhe të paraportuar.”

Mjedisi

“BE mirëpret progresin në përputhjen me legjislacionin europian në fushën e ambientit dhe ndryshimeve të klimës. Gjithsesi, thelbësore është cilësia e përshtatjes si dhe forcimi e zbatimi i shëndoshë. BE kujton rëndësinë e vlerësimit të impaktit të ambientit dhe të konsultimeve me publikun dhe inkurajon Shqipërinë të përfshijë sistematikisht ndryshimet e ambientit dhe ato të klimës në të gjitha fushat përkatëse politike. BE i bën thirrje Shqipërisë të rrisë përpjekjet në fushën e menaxhimit të mbetjeve dhe në zbatimin dhe forcimin e përgjithshëm të legjislacionit mbi ambientin.”

Në fushën e transporteve, megjithë përpjekjet e vijueshme, kërkohet më shumë për sigurinë rrugore, dhe përmirësime thelbësore për transportin hekurudhor dhe detar.

Energjia

“BE bën thirrje për më shumë përpjekje në sektorin e energjisë, veçanërisht në kuadër të miratimit të ligjit për sektorin e Energjisë si dhe të ligjeve për energjinë efiçente dhe energjinë e rinovueshme. BE inkurajon Shqipërinë të marrë hapa të mëtejshëm për të garantuar, në bashkëpunim me kompanitë energjitike, qendrueshmërinë e sektorit energjitik. BE vëren se masat për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe atyre ndërlidhëse janë në rrugë e sipër, por siguria e furnizimit me energji frenohet ende nga diversifikimi i varfër i burimeve të energjisë.”

Komunikimet elektronike dhe Politikat audiovizuale

“BE vëren përpjekjet për të përmirësuar konkurrencën në shërbimet dhe rrjetet e komunikimeve elektronike. Gjithsesi, kërkohen ende masa shtesë për të rritur liberalizimin e tregut të komunikimeve elektronike. BE inkurajon më shumë përpjekje për të garantuar kapacitetet dhe pavarësinë e duhur të rregullatorit të telekomunikacioneve. Sa i përket politikave audiovizuale, BE nënvizon rëndësinë e miratimit të ligjit për shërbimet e mediave audiovizuale duke marrë parasysh komentet e fundit të Komisionit Europian dhe Këshillit të Europës në përputhje me Planin e Veprimit për reformën në media. Kërkohen më shumë përpjekje për të forcuar kapacitetin monitorues dhe pavarësinë e autoritetit të transmetimit dhe për të miratuar dhe zbatuar strategjinë për kalimin nga transmetimi analog në atë dixhital.”

Në fushën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë, progres është vërejtur në bashkëpunimin ndërkombëtar, në policinë e kufijve dhe zbatimin e marrëveshjeve së riatdhesimit, por vendit i kërkohet të përshtasë sistemin e azilit me standared e BE-së. Për trafiqet dhe drogën, Shqipëria vijon të mbetet problematike.

Trafiqet & Droga

“BE vëren përpjekjet e bëra në luftën kundër drogave, përfshirë sa i përket konfiskimit, hetimit, ndjekjes penale dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Por vëren gjithashtu se Shqipëria mbetet një vend prodhues i cannabis. BE nënvizon nevojën për më shumë përpjekje në këtë fushë përfshirë sa i përket miratimit dhe zbatimit të një strategjie të re kombëtare kundër drogave, duke zëvendësuar të vjetrën që përfundoi në vitin 2010. BE nënvizon se megjithë përpjekjet e mira që u bënë në parandalimin e trafikimit të qënieve njerëzore, kjo mbetet ende një fushë që përbën shqetësim pasi Shqipëria mbetet një vendburim për trafikimin për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe të punës së detyruar. Nevojitet të forcohet kapaciteti i agjensive të përforcimit të ligjit dhe bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar për hetimin e krimit të organizuar dhe trafikimin e qënieve njerëzore. Duhet zbatuar një qasje multidisiplinore për adresimin e trafikimit të qënieve njerëzore.”

Shqipëria ka vijuar zbatimin pa pengesa të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, por BE inkurajon vendin të vijojë forcimin e të gjitha kapaciteteve të saj administrative për të zbatuar efektivisht MSA-në.

Top Channel