Londër, ekstradimi i Sadushit i vështirë

25/04/2012 23:15

Çështja e ekstradrimit të shqiptarit të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane, Ndriçim Sadushi, mbetet e komplikuar dhe e ngërthyer për momentin në proçedurat ligjore britanike pasi ai kërkohet njëkohësisht nga Shqipëria dhe Italia.

Ministrja e Brendshme britanike, Teresa May ende nuk ka marrë vendim për ekstradimin e tij dhe seanca e ekstradimit nuk mund të vazhdojë dot deri atëherë. Gjykatësi i çështjes Mike Snou në gjykatën e Ustminster-it në Londër, i kishte duart e lidhura për proçedimin më tej për shkak të mosmarrjes së vendimit nga ministrja e Brendshme.

Duke qenë se Sadushi kërkohet edhe nga Italia, vend anëtar i BE-së dhe Shqipëria jo anëtar, proçedura e fillimit të seancës për Italinë është brenda 21 ditësh, ndërsa nga Shqipëria brenda dy muajsh nga data e arrestimit. Afati italian skadon në 30 prill për kur edhe u shty çështja e Sadushit.

Prokurorët britanikë për palën shqiptare dhe italiane kërkuan shtyrjen e çështjes për t’i dhënë kohë ardhjes së pritshme të vendimit nga Ministria e Brendshme. Sipas ligjit britanik, Sadushi nëse nuk vjen venidmi brenda afateve kohore të parashikuara mund të kërkojë mbylljen e proçesit ndaj tij, por gjykatesi Snou tha se edhe nëse Sadushi dhe avokatët e tij aplikojnë, kjo nuk do të thotë se çështja do të mbyllet pasi ka aryse për skadimin e afateve.

Sadushi do të zgjedhë se ku dëshiron të ekstradohet, në Itali apo Shqipëri. Por prokurorët e çështjes i thanë Top-Channel se Ministria e Brendshme do të duhet të vendosë për dërgimin e tij në Shqipëri pasi edhe veprat penale të kryera atje, plus koha e kryerjes së tyre, marrin përparësi në rastin e Shqipërisë sesa atë të Italisë.

Sipas çdo gjase gjyqësore, Ndriçim Sadushi, sic i drejtohej gjykatësi i çështjes, i dënuar në Shqipëri si anëtar i bandës së Tan Kateshit në Elbasan dhe i dënuar për tre vrasje dhe një tentativë vrasje në ngjarjet e vitit ‘97, do të përfundojë në Shqipëri edhe sikur eventualisht të shkojë në fillim në Itali, duke qenë se Shqipëria dhe Italia kanë marrëveshje ekstradimi mes tyre.

Seanca e radhës për ekstradimin e Ndriçim Saudushit, ndër personat më të kërkuar nga Interpol Tirana dhe autoritetet britanike, do të jetë më 30 prill kur do të mësohet nëse Ministria e Brendshme britanike do të ketë vendosur ose jo për rastin e tij.
  .   

Top Channel