Lushnje, plagosen 4 të rinj në aksident

24/04/2012 00:00

Një aksident me pasojë plagosjen rëndë të katër të rinjeve ndodhi pasditen e së hënës në superstradën Fier-Lushnje.

Një automjet me targa italiane për shkak të shpejtësisë shumë të lartë humbi kontrollin dhe goditi me forcë trafikndarësin e më pas një trajler me targa të Kavajes.

Mjeti pothuajse u shkatërrua plotësisht nga goditja e fortë, ndërkohë që edhe trajleri mbeti në vend duke bllokuar rrugën për disa orë e duke krijuar një varg të gjatë prej më shumë se 10 kilometra.

Policia mbërriti në vendin e ngjarjes, ndërsa shërbimi i urgjencës transportoi katër të rinjtë e plagosur shumë rëndë për në spital. Një prej të plagosurve ndodhet në Spitalin Ushtarak në gjendje kritike.

Policia në vendin e ngjarjes nxorri si shkak shpejtësinë shumë të madhe të mjetit, deri në 7 herë mbi normën e lejuar në atë zonë. Për shkak të frenimit të fortë mjeti humbi kontrollin edhe nga lagështira në rrugë, duke u përplasur dhunshëm.

Po dje, një tjetër aksident ndodhi në Lushnje, në komunën Dushk. Një 45-vjeçar është në gjendje kritike për jetën sepse duke kryer një parakalim të gabuar me motoçikletë u perplas me një mjet dhe për pasojë u plagos rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Top Channel