Topi takon politikën shqiptare

20/04/2012 00:00

Në ditën e tretë të vizitës së tij në Maqedoni, presidenti Topi ka takuar në Tetovë liderët e partive kryesore të shqiptarëve.Topi fillimisht u ndal në selinë e PDSH-së opozitare ku i është organizuar një pritje speciale.

Presidenti shqiptar ka parakaluar në një qilim të kuq para qindra qytetarëve, të cilët kishin dalë për ta pritur.

“Mirëseerdhët zoti president në shtëpinë tuaj dhe president i jonë”, këto ishin fjalët e para të kreut të PDSH-së, zotit Menduh Thaçi në pritjen e rezervuar për Presidentin Topi.

Për Topin, ky ishte momenti më emocional i vizitës së tij në Maqedoni.

“Gjatë vizitës time zyrtare në Maqedoni, besoni ky është një nga momentet më të bukura. Pavarësisht se neve historia na ka ndarë me kufijtë administrativë, zemra jonë rreh me të njëjtin ritëm. Falë institucioneve dhe qeverive tona është mundur që qytetarët të lëvizin të lirë. Të lëvizin me kartë identiteti dhe të jenë pjesë e së njëjtës ëndërr Shqipëria sot është vend në NATO dhe së bashkë me Maqedoninë do të jenë në NATO dhe BE”, deklaroi presidenti Topi.

Më pas presidenti Topi takoi edhe liderin e BDI-së Ali Ahmeti. Mes tjerash dy bashkëbiseduesit kanë dënuar vrasjen e pesëfishtë dhe kanë bërë thirrje që kjo vepër të mos dëmtojë bashkëjetesën në Maqedoni.

“Ndamë dhimbjen për humbjen e 5 të rinjëve bashkëqytetarë tanë. Ndamë dhimbjen dhe solidaritetin me familjet e tyre dhe e gjykuan si një akt të rëndë kriminal me çka gjykimi i përbashkët ishte se jetën duhet ta ndërtojmë bashkërisht dhe tragjeditë duhet t’i kalojmë krejt bashkë pa paragjykuar”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Pas këtij takimit, Topi i shoqëruar nga krerët e BDI-së, vizitoi bustin e Mehmet Pashë Deralles, Ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e parë të Shqipërisë, vizitë kjo që edhe mbylli qendrimin në Maqedoni.

Top Channel