Kryeministri Sali Berisha dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Alexander Arvizu, u takuan të mërkurën për një drekë pune në Vilën 30.

Takimi ishte lajmëruar një ditë më parë nga vetë ambasadori Arvizu, pasi bashkë me dy ambasadorët e tjerë Sequi dhe Wolfarth, bisedoi për një orë e gjysmë me kryetarin e Partisë Socialiste.

Megjithëse, si kryeministri, si ambasadori kanë qenë të shoqëruar nga bashkëshortet e tyre, besohet se gjatë drekës së punës situata aktuale politike në vend dhe zgjedhja e presidentit të ardhshëm kanë qenë çështje të diskutuara mes tyre.

Dreka e punës ishte një ftesë e bërë për ambasadorin Arvizu pak ditë më parë. Ajo përkon edhe me nisjen e kryeministrit Berisha javën e ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai do të festojë në Nju Jork me shqiptarët e shoqatës “Vatra” 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. Por ndalesa më e rëndësishme do të jetë në Uashington DC, ku konfirmohet se axhenda e kryeministrit përmban takime në nivelet më të larta në Departamentin amerikan të Shtetit.

Javën e ardhshme në Uashington DC do të jetë edhe vetë ambasadori Arvizu, pasi të zhvillojë një takim me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli.

Siç thotë ambasadori Arvizu, këto biseda me drejtuesit kryesorë të politikës e ndihmojnë, që duke dëgjuar pikëpamje të ndryshme, të identifikojnë rrugët e përbashkëta për ecjen përpara.

Top Channel