Kandidatura e Ardian Vishës dhe mënyra se si u zgjodh në Kuvend nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u shndërruan në temën kryesore të aktualitetit politik shqiptar gjatë së enjtes.

Kjo nuk ndodhi vetëm prej debatit të ashpër që mbizotëroi në Parlament, por mbi të gjitha sepse kandidati i maxhorancës, Elis Çefa, u zgjodh në këtë detyrë me vetëm 71 vota, njëra prej të cilave e Kastriot Islamit dhe vetëm një nga katër prej Lëvizjes Socialiste për Integrim, ajo e ministrit Naço.

Pyetja që të gjithë analistët shtrojnë pas këtij zhvillimi është a kemi një “rrjedhje” votash nga shumica dhe cili është qëndrimi që do të mbahet në zgjedhjet e ardhshme, shumë më të rëndësishme, ato të presidentit?

Dhe në këtë aspekt, pyetja që të gjithë shtrojnë është: Lëvizja Socialiste për Integrim, partnerja e domosdoshme për mbajtjen e kësa qeverie në këmbë, çfarë qëndrimi do të mbajë në zhvillimet e ardhshme politike në vend?

Për të zbardhur të gjithë dilemat dhe qëndrimet e kësaj partie me një rol kyç në politikën shqiptare, i ftuar në studion e “Top Story”-t, emisionit të përjavshëm politik të Sokol Ballës, ishte lideri i LSI-së, Ilir Meta.

Top Story – Me një procedurë, ende të paqartë, u zgjodh Elvis Çepa në rolin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Cili është komenti juaj?
Meta – Dua të theksoj rëndësinë që ka ndërtimi i disa raporteve më pak të tensionuara politike, për zgjedhje të tilla, që kanë të bëjnë me emërime për sistemin gjyqësor, që duhet të jetë sa më i pavarur nga partitë dhe politika. Në këtë këndvështrim, LSI ka patur gjithmonë qëndrime të çliruara, duke i konsideruar si qëndrime personale dhe jo të vijës politike emërimet në drejtësi. Mendoj se kandidati i opozitës u paraqit me shumë dinjitet, shprehu bindjet për shumë çështje të ndryshme në komisionin parlamentar, por e keqja e opozitës ishte se u përpoq të shndërronte votimin në një sfidë për shumicën. Lidhur me mospjesmarrjen në votime timen dhe dy kolegëve të tjerë ka patur shumë komente, por LSI nuk kishte asnjë vendim kryesie apo kolegjial të deputetëve për të mbajtur një linjë të caktuar. Mungesa e pjesëmarrjes mund të shpjegohet me rrethanat që u zhvilluan ngjarjet, pasi në fillim u kërkua një votim i fshehtë elektronik, më pas opozita kërkoi ndryshimin në votim me kuti dhe ndërsa ne ishim duke u përpjekur të regjistroheshim të parët, për shkak të një impenjimi politik, u hap votimi dhe kaloi kandidatura. Mosvotimi im, në këtë kuadër, nuk ishte i paramenduar.

Top Story – Si do të kishte qenë vota juaj nëse do të kishit marrë pjesë në këto votime?
Meta – Vota ime do të kishte qenë absolutisht e fshehtë. Kush më ka kërkuar mendim në Parlament i kam thënë që të gjykojë vetë, pasi nuk kam dashur të ndërhyj. Dua të theksoj se deputetët tanë, në shumë çështje që nuk konsiderohen të natyrës politike, janë të lirë të shprehin lirshëm qëndrimet e tyre në Kuvend.

Top Story – Por, është folur se ju keni patur kontakte direkte me kandidaturën e opozitës, Ardian Vishën?
Meta – Për Vishën, në të shkuarën mund të kem patur disa paragjykime nga mosnjohja, por tashmë mund të them se ndaj vlerësime shumë pozitive për integritetin e tij personal.

Top Story – Por, a mendoni se fitoi kandidatura më e mirë?
Meta – Këtë nuk mund ta them. Besoj, gjithsesi, se të dy figurat ishin shumë të kualifikuara për të kryer rolin e nënkryetarit të KLD-së.

Top Story – A ju duket normal ky lloj votimi, ashtu si ai u krye?
Meta – Natyrisht, unë mendoj që votimi normal do të kishte qenë ai me kuti, ku çdo deputet, në mënyrë nominale merr pjesë në proces. Nuk e di përse opozita e kundërshtoi këtë mënyrë votimi, sidomos pasi u krijua edhe një komision për numërimin. Nuk është kjo situata në të cilën bëhen votimet, por unë s’mund të bëj gjykatësin e opozitës këtu. Për fat të keq, nuk është hera e parë që krijohen tensione artificiale dhe të panevojshme. Megjithatë, më vjen keq që këto raste të interpretohen si lëkundje të maxhorancës, numrave në Parlament apo të vetë qeverisjes.

Top Story – Reagimi i Ramës ishte i menjëhershëm pas seancës parlamentare. Lideri i opozitës vlerësoi se sot qeveria nuk i ka më votat për të qeverisur vendin dhe janë pikërisht votat e LSI ato që e lejojnë atë të ushtrojë mazhorancën. A është vërtetë kështu?
Meta – Pa dyshim, votat për të funksionuar si maxhorancë janë dhe mendoj se gabimi i opozitës është që përpiqet të krijojë situata të paqena. Më vjen keq për opozitën që shfrytëzon çdo mundësi për të tensionuar atmosferën politike në vend dhe që sposton debatin në politikë dhe jo në të mirën e vendit. Reagimi i Zotit Rama, është një reagim me ngarkesa të theksuara emocionale, sepse varet edhe se si i është raportuar situata e përfaqësuesve të tij parlamentar. Me sa di unë, ishte rënë dakord që votimi të bëhej i fshehtë, ishte krijuar një komision për këtë qëllim. Më pas kjo gjë ka ndryshuar dhe është bërë votimi elektronik dhe ajo që mendoj unë se në qoftë se zoti Rama dhe Berisha do të takoheshin pa praninë e kamerave, mendoj se do të ishte diçka shumë pozitive sepse vendi ka nevojë për një përgjegjësi maksimale. Momenti ku ndodhemi ka nevojë për vendime sa më të përgjegjshme dhe të përbashkëta, pasi Shqipëria është shtëpia e të gjithëve

Top Story – A mund të luani ju personalisht, për vetë profilin që keni, rolin e paqëtuesit të maxhorancës me opozitën?
Meta – Nuk dua të marr përsipër këto gjëra, por unë mendoj se është koha që të dy palët të marrin më shumë përgjegjësi në mënyrë që gjithçka të sqarohet në kohë dhe të mos shkojmë në situata të paarsyeshme si kjo e sotme, pasi vendi ka nevojë më shumë se kurrë për qëndrueshmëri politike. Këtu nuk kuptoj stabilitetin e kësaj qeverie, që nuk është një qëllim në vetvete, por i referohem qëndrueshmërisë ekonomike dhe asaj institucionale, të domosdoshmne për t’iu shmangur krizës ekonomike, që ka prekur pikërisht partnerët tanë kryesorë.

Top Story – Në këtë kuadër, a mund të përsëritet në Shqipëri një skenar i ngjashëm me atë grek?
Meta – Nuk mendoj se rrezikohemi seriozisht, por është e domosdoshme të reduktojmë sa më shumë pasojat negative të krizës ekonomike, pasi impaktet ekzistojnë. Vendet ku shqiptarët emigruan sot janë përkulur nga kriza dhe s’mund të themi që jemi një ishull i lumtur, ndonëse është e vërtetë që është treguar qëndrueshmëri, rezistencë në efektet e kësaj krize. Duhet të vazhdojmë të përpiqemi të krijojmë një klimë sa më aktive për investitorët dhe për biznesin, që s’ndahet në parti, pasi nga ai lidhet mirëqënia e të gjithëve.

Top Story – Ilir Meta është njeriu i dytë politik i maxhorancës dhe edhe një prej politikanëve më me peshë në dekadat e fundit. Megjithatë, duhet të bëjmë një lexim të asaj që ndodhi sot në Parlament, ku LSI votoi 3+1. Si e gjykoni votën personale të Naços pro maxhorancës? Madje, pati edhe një spekulim se për të kishte shtypur butonin Olldashi, por ai e mohoi kategorikisht diçka të tillë.
Meta – Në qoftë se unë duhet të përsëris edhe një herë atë që thashë më lart do ta përsërisn, por për Zotin Naço ju mund ta pyesni vetë si ka vlerësuar zgjedhjen e tij. Sidoqoftë, mund t’iu ritheksoj se nuk ka patur një vendim politik partiak të LSI-së dhe nuk do të ketë ndonjëherë për kandidaturat që lidhen me gjyqësorin, pasi gjykomë se duhet të zgjidhet më i miri për të respektuar pavarësinë e drejtësisë dhe jo kandidati i preferuar i një partie apo një tjetre.

Top Story – Megjithatë, ka dy mënyra për të kuptuar votën e sotme të LSI. E para, një mënyrë presioni për t’i treguar Berishës se është partia juaj ajo që e mban në pushtet dhe e dyta, që Berisha i ka tashmë 71 vota edhe pa ndihmën tuaj.
Meta – Nuk është fare e rëndësishme, për t’u ndalur unë në këto interpretime apo komente, që është e drejta juaj si gazetar dhe është këndvështrimi juaj, prandaj dhe jeni këtu në këtë televizion. Dikush tjetër ka një interpretim tjetër, por pyetjes suaj do t’i përgjigjem me korrektesë. S’ka patur asnjë ditë të vetme që kur unë kam konfirmuar koalicionin, që për shkak të një raporti numerik, unë apo LSI si forcë, të kemi bërë presione për të arritur qëllime të caktuara në momente të ndryshme, pasi kjo nuk është pjesë e vizionit tonë politik. Për çështje që s’kemi qenë dakord, këtë e kemi shprehur në Parlament. Kur kemi gjykuar të marrim një qëndrim tjetër, këtë e kemi bërë në mënyrë publike, ashtu siç është që kur kemi rënë dakord. Nuk ekziston asnjë lloj presioni nga ana jonë. Nëse 71 vota Berisha i bën në një formë apo një tjetër, nuk është një problem i yni shqetësues. Në këtë rast, ne kishim bërë të qartë se ishte pjesë e qëndrimit tonë që çdo deputet të shprehte vullnetin e tij dhe kështu ndodhi.

Top Story – Më parë gjatë javës, në Korçë, folët dhe përmendët fjalën kompromis për zgjedhjen e presidentit.
Meta – Dy janë shtyllat kryesore, ku unë mendoj se duhet bazuar ky proces. Një shtyllë kryesore është kushtetuta, pasi në çdo rast, është e domosdoshme dhe e patjetërsuseshme. Edhe institucioni i presidentit lidhet me kushtetutën dhe është një garant i saj pasi zgjidhet. Duke patur parasysh këtë raport, kemi theksuar dhe theksojmë që është e rëndësishme që procesi të realizohet në një mënyrë sa më konstruktive që të jetë e mundur, prandaj gjykojmë dhe kontribuojmë për ta bërë këtë proces sa më konstruktiv. Është pikërisht kompromisi shtylla e dytë ku ne mendojmë se duhet të bazohet procesi.

Top Story – Por, si mund të flitet për kompromis kur kryeministri Berisha thotë publikisht se presidenti do të jetë pjesë e kryesisë së Partisë Demokratike?
Meta – Nuk dua të komentoj qëndrimet e Berishës në momente dhe rrethana të caktuara, pasi është e drejta e tij të mbajë atë qëndrim që konsideron si të arsyeshëm. Ne kemi një koalicion me Partinë Demokratike, ku një prej elementëve është bashkëpunimi për presidentin, pasi është një pikë kryesore e marrëveshjes. Në këtë drejtim ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me ta, ashtu sikurse mendojmë që është në interes të vendit të ketë një bashkëpunim sa më të gjerë.

Top Story – Cfarë mekanizmi do të impononit ju për të arritur këtë qëllim?
Meta – Nuk jemi këtu për të imponuar mekanizma apo për të marrë përsipër çdo lloj zgjidhje, por jemi për të shprehur vullnetin tonë në mënyrë që ta realizojmë atë që u theksua më parë, qëndrueshmërinë, jo vetëm në kuadrin e një jete tepër të gjallë politike, por edhe të një përgjegjësie të përbashkët. Është fakt që kemi humbur dy vjet kohë për të marrë statusin e vendit kandidat nga BE dhe kjo nuk është diçka pozitive. Janë disa prioritetet që duhen adresuar, disa janë realizuar me vështirësi e vonesa, të tjerë duhet të realizohen sa më shpejt. Së dyti, jemi në një vit shumë të rëndësishëm, 100-vjetori i pavarësisë dhe merr vëmendje më të madhe në këtë aspekt edhe në planin ndërkombëtar, përveçse mendoj që të gjithë shqiptarët, edhe për këtë arsye duan të shohin në këtë përvjetor një Shqipëri sa më të qëndrueshme, pa i kushtuar rëndësi kush është në pushtet dhe në opozitë.

Top Story – Presidenti i ri do të vendosë edhe prokurorin e ri, shefin e ri të SHISH etj. mandatet e të cilëve mbarojnë pas presidentit. Nëse bien në dorën e një grupi, e një njeriu, LSI do të mund të ruajë të njëjtën vlerë në këtë koalicion?

Ilir Meta – Vlera e LSI-së nuk përcaktohet nga emri presidentit apo efektet që do ketë zgjedhja e tij. Ka disa element të tjerë më të rëndësishëm që përcaktojnë vlerën e saj. Ne duhet të gjykohemi nga ajo cfarë kemi bërë gjatë kësaj periudhe për t’i shërbyer stabilitetit të vendit, proceseve integruese të vendit dhe nga mundësitë që ka për të dhënë kontributin për integrimin e vendit. Nuk është e rëndësishme se kush do të jetë presidenti apo presidentja. Mendoj që nuk do të jetë emri apo partia, por integriteti dhe mënyra se si do të përzgjidhet deri në momentin që do të bëjë betimin. Këto janë elementët më të rëndësishëm dhe nëse nisemi nga emrat dëmtojmë procesin.

Top Story – Rama përjashton kandidaturën e Topallit, edhe ju vetë keni patur përplasje me të në të shkuarën…

Ilir Meta– Për rastin konkret, (përplasja Meta-Topalli e 2006 në Kuvend) i takon të kaluarës. Mund t’ju them që asnjëherë nuk kam patur problem unë me zonjën Topalli, në rastin konkret problemi ka qenë me mikrofonin. Ka qenë një përpjekje për të shmangur një ndryshim për anëtarin e KQZ që cënonte LSI-në e cila vinte tepër e dëmtuar në mënyrë të padrejtë nga zgjedhjet e 2005. Ne kemi vendosur të shohim drejt së ardhmes përsëri. Konfirmoj që emrat për LSI nuk janë një prioritet, prioritet për ne është një proces sa më normal, sa më konstruktiv dhe emri, cilido që të jetë, të përfaqësojë institucionin, Kushtetutën dhe simbolikën e i gjithëpranueshëm. LSI nuk do mërzitej nëse presidentit del nga bashkëpunimi PD-PS. Nuk duhet të synojmë standarde të dyfishta.

Top Story – Ditët e fundit është vënë re një ftohje e raporteve tuaja me Fatos Nanon. A ekziston acar mes jush dhe Nanos…

Ilir Meta
– Nuk dua të hyj në komente për këto raporte, sepse cdo përgjigje do merrej si pro apo kundër. Për ne prioritare mbetet procesi, cështja e emrave, për ne mbetet e dorës së dytë, jo se emri nuk ka rëndësi, por qendrimi për të promovuar dhe kundërshtuar një emër do të nënkuptohej.

Top Story – A është Nano kandidaturë serioze?

Ilir Meta – Për ne ka rëndësi procesi dhe mendoj që një takim pa kamera nuk do të ishte i keq.

Top Story -Ndërkombëtarët ju konsiderojnë të fortë në politikë. A e ka LSI lirinë dhe veprimin që ka patur dikur Ilir Meta si lojtar i madh i një partie të vogël pas mbylljes së ceshtjes?

Ilir Meta – Raportet e mia me zotin Berisha kanë qenë raporte tepër serioze dhe bashkëpunuese bazuar mbi marrëveshjen e bashkëpunimit. Në procesin ndaj meje qendrimi i tij ka qenë i qartë, ishte i pari që vuri re disa pasaktësi për detajet e titrave. Mendoj që nëse ka patur një qendrim nuk ka patur bindje. Nuk ka lidhje qendrimi i tij me vendimin, ky ishte një vendim 5-0 pavarësisht nga koha ku ishin propozuar dhe zgjedhur trupi gjykues. Detyrimet e mia janë në raport me këtë marrëveshje politike. Edhe në raportet njërëzore dhe shoqërore, tek e fundit vendimet janë të karakterit politik, cili është interesi i vendit për të cilat LSI jep kontributin e saj.

Top Story- Kontaktet me ndërkombëtarët…

Ilir Meta – Shumë të mira. I kam patur që me FRESSH e vazhdoj t’i kem. E di që janë bërë spekulime të ndryshme, lobime të ndryshme. Natyrisht nuk i marr si personale, dikush ka interesa për të ndryshuar raportet e mia me ndërkombëtarët. Por faktorët seriozë kanë qenë dhe mbeten shumë të mira, unë kam qenë dhe mbetem i hapur.

Top Story – Mbrëmë ishin në një darkë me ambasadorin e OSBE-së, Volfart, cfarë keni biseduar?

Ilir Meta – Darka s’ka qenë shumë e rëndësishme, por ka qenë e këndshme. Nuk është diskutuar as për presidentin e as për reformën zgjedhore.

Top Story- Për reformën zgjedhore nuk dukeni shumë të shqetësuar ashtu si partitë e tjera të vogla…

Ilir Meta – Nuk është kështu. Ne e kemi theksuar vazhdimisht që për ne nuk ka asnjë problem. Problemi kryesor është që dy partitë e tjera të shohin si problem cështjen korrektimit, që do të thotë se në parlamentin e ardhshëm mund të ketë shumë parti me nga 1 deputet apo 2 deputetë. Mazhoritar i pastër është sistem i ndershëm. Kemi shprehur që është e papranueshme që pragu për 1 deputet në Kukës të jetë 25 përqind dhe në Tiranë 3 përqind. Kjo nxit rajonalizimin e vendit dhe bie në kundërshtim me parimin e Kushtetutës për barazinë e votës.

Top Story- Ambasadori Arvizu deklaroi, në formë trysnie, për përfundimin e reformës zgjedhore deri në fund të këtij muaji…

Ilir Meta– E rëndësishme është që të jepet një mesazh për reformën, sepse nuk ka më kohë.

Top Story – Mundësitë kushtetuese të zgjidhjes së situatës është edhe ajo e zgjedhjes së presidentit të ri, moszgjedhja e tij do të conte vendin në zgjedhje të parakohëshme…

Ilir Meta – Ky është opsion që nuk përjashtohet në parim, por nuk besoj se ekziston realisht si mundësi.

Top Story – Vizita në SHBA…

Ilir Meta – Raportet mes dy vendeve janë jetike për Shqipërinë dhe rajonin. Ky do të ishte një fillim përbashkues dhe mesazhet që shkëmbehen duhet të implementohen dhe besoj që të gjithë kanë marrë dhe do marrin mesazhin për përshpejtimin e reformave për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Top Story: Folët me zotin Reeker për zhvillimet në Shqipëri? Qendrimet e tyre për zgjedhjen e Presidentit?

Ilir Meta- Mendoj që janë ato qendrime që janë bërë publike dhe këtu në Tiranë nga Arvizu. Mesazhi kryesor që unë mora në Uashington është mbështetja e SHBA për integrimin europian të Shqipërisë dhe rajonit pas kaq kohësh. Mendoj që ky ishte një mesazh shumë i përqendruar që i përmbledh të gjitha.

Top Story: Vizita juaj ishte e organizuar nga DASH?

Ilir Meta– Vizita ishte me ftesë të Universitetit John Hopkins, ku u mbajt një konferencë e rëndësishme ndërkombëtare ekonomike dhe unë isha ndër të ftuarit kryesorë në panel. Qëllimi ishte dhe zvhillimi i takimeve të rëndësishme në DASH.

Top Story- Axhendat në vizita të tilla bëhen me rakordime. Në axhendën e tuaj keni patur një takim surprizë me shefen e DEA-s, që ka habitur edhe vetë DASH….

Ilir Meta – Kjo vizitë nuk ka qenë një vizitë e rakorduar por e programuar. Kam patur informacion për takimet që ishin programuar prej kohësh. Nuk mendoj se dikush mund të jetë habitur.

Top Story – Habia lidhet për faktin se për disa qendrime e shohin si për t’u mbyllur gojën se ju keni derën e hapur në të gjitha dyert e SHBA.

Ilir Meta – Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në rajon, si një vend që ka bërë shumë për të forcuar bashkëpunimin rajonal në luftën kundër trafiqeve. E rëndësishme është shprehja e vullnetit për bashkëpunim për të luftuar trafiqet.

Top Story – Pse nuk u kthyet në qeveri. Kishit mundësinë të ktheheshit në kabinet, ju u kthyet duke kërkuar të ktheheshit tek Komisioni i Integrimit….

Ilir Meta – Personalisht pas rezultatit që mori LSI, pashë koalicionin me PD,  si e vetmja zgjidhje që mbeti. Nuk kam qenë i prirur për të hyrë në qeveri. LSI ishte dëmtuar padrejtësisht në 2005 dhe 2009. Zoti Berisha kishte një insistim dhe unë kuptova që ishte e rëndësishme pjesëmarrja. Mendoj që ky koalicion ka funksionuar dhe unë në këtë pozicion ku jam mendoj që jam më i dobishëm. Pjesë e mazhorancës, por duke mos qenë pjesë e qeverisë shumë cështje i shikoj dhe i gjykoj me më pak ngarkesa. Besoj që kjo ëshë zgjidhja më e mirë.

Top Story – Dy argumente të pakundërshtueshme për zgjedhjen e vështirë, kanë qenë se nuk bënit dot numrat për qeverisje me PS dhe e dyta për stabilitet të vendit. Mgjth procesi integrimit çalon, humbëm dy vjet humbëm dy raste, dhe nëse me votime të tilla si sot në Kuvend, shansi i tretë largohet më shumë. Si do të vijoni në 2013?

Ilir Meta-
Është herët për të folur për zgjedhjet e 2013, sepse jemi 14 muaj para zhvillimit të tyre, ka momente të rëndësishme që duhen  patur në konsideratë. Me këtë qeveri, premtimi kryesor afat-shkurtër ka qenë për liberalizimin e vizave është arritur në një kohë rekord, 1 vit brenda mandatit të parë të kësaj qeverie. Një ngjarje shumë e madhe për shqiptarët, po të kemi parasysh izolimin e Shqipërisë, shumë nga qytetarët tanë që gjatë kësaj kohe kanë udhëtuar, gati 1 mln, edhe mund të kenë harruar, është normale, sepse gjithmonë një njeri ka pritshmëri më të mëdha se sa ajo që prek. Ka qenë një ndërmarrje shumë e madhe, skepticizmi ka qenë shumë i madh, për shkak të vendeve të tjera.

Top Story – Nëse dështon integrimi rrezikon që ta paguajë si kosto politike e LSI-së 2013, nëse rrëzohet se mund të dilni në fushatë me PD?

Ilir Meta –  Shqiptarët do bëjnë vlerësimin e tyre për këtë vonesë. Duke ndarë përgjegjësinë e qeverisë, përgjegjësia e opozitës, sepse bëhet fjalë për mosrealizimin e përgjegjësive që janë të përbashkëta dhe përgjegjësitë e partive të caktuar. Ne nuk i trembemi këtij gjykimi, e rëndësishme është që të fitojmë këtë kohë.

Top Story- Edi Rama deklaron se nuk mund të flitet për koalicion me LSI-në përsa kohë është në qeveri. Keni një përgjigje për Ramën?

Ilir Meta
– Takimet jashtë kamerave do të ishin shumë produktive se sa të replikonim. Vendi ka nevojë për stabilitetin politik, qendrueshmëria është funksionimi i dialogut që ka të bëjë me vendin, jo interesat e mazhorancës dhe opozitës. Ai që sillet me përgjegjësi, ai do të marrë vlerësimin e shqiptarëve.

Top Story – Do pranonit të organizonit takim mes lidërave pa kamera? Me këtë ton, jeni me ton presidencial.

Ilir Meta –  Për mua është e rëndësishme të ecim drejt një procesi sa më konstruktiv, jo thjesht për zgjedhjen e presidenti, por për disa cështje së bashku që duhen zgjidhur, për të shkuar tek fillimi i vjeshtës kur jepet vendimi i statusit kandidat, apo 28 nëntorit, një moment bilanci për shtetin dhe kombin, emri është i presidentit parëndësishëm.

Top Story-  Takim pa kamera Meta-Rama pse nuk bëhet?

Ilir Meta– S’kam asnjë kompleks, asnjë problem, përkundrazi…

Top Story – A do të ketë LSI kandidat për president?

Ilir Meta – LSI nuk e sheh procesin me emrat. Ndërkombëtarët kanë një vlerësim shumë të mirë për politikën e jashtme të Shqipërisë.Përfaqësuesit shprehin një keqardhje që politka e jashtme të ishte kaq konstruktive edhe brenda politikës së Shqipërisë. Politika e jashtme e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet një model për vendet e tjera. Kur një politikë kaq konstruktive e kemi bërë me fqinjët, pse jo me njëri-tjetrin?!

Top Story – Jeni vlerësuar si njëriu me më shumë ndikim në politikën shqiptarë në 10 vitet e fundit…

Ilir Meta – LSI në cdo kohë ka mbajtur qendrime pa paragjykime, LSI ka patur qëllim të heqë nga pushteti apo të mbajë në pushtet kryetarin e bashkisë. Sot problem është parlamentarizmi me listat e mbyllura sepse kemi një sistem më shmë partiak se sa parlamentar. LSI në këtë plan do të bëjë gjithcka që bën të ecë në rrugën më të mirë të mundshme. Janë qytetarët ata që përcaktojnë edhe të ardhmen e LSI-së.

Top Story- A është LSI një formacion i majtë?

Ilir Meta– Nuk ka dyshim. Për ngjyrat që kemi të ndezura dhe të qarta. Por e theksoj që raporti ynë me vendin duhet të jetë konstruktiv. Shqipëria ëshë shtëpia e të gjtihëve, të gjithë duhet ta ndërtojmë atë.
 

Top Channel