Protestë për ujin e pijshëm

27/03/2012 00:00

“Për shkak të projektit që është bërë, është prerë linja e vjetër. Ujësjellësi ka marrë zotimin që brenda datës 27 prill të rivendosë linjat e reja tek ju, sot është 27 mars. Nga 27 marsi deri në 27 prill do të ketë furnizim me ujë me bot dhe uji do të jetë i pastër”.

Kjo ishte përgjigja që kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dha për banorët e revoltuar për shkak të mungesës së ujit të pijshëm në Kodrën e Priftit.

32 familje në këtë zonë kanë protestuar për mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm nga ujësjellësi prej gati tre javësh.

Gjatë inspektimit të punimeve për shtrirjen e rrjtetit të ujësjellës-kanalizimeve, Basha është ndeshur me pakënaqësitë e banorëve të cilët tashmë janë qetësuar disi me zgjidhjen që iu dha me afat kohor një muaj.

Ne, tha Basha, do të furnizojmë me ujë të pijshëm 35 mijë banorë të kësaj lagje falë një projekti prej 50 milion lekësh.

“Ky investim, pikë së pari do t’i sjellë ujë një zonë të zhuritur si në verë ashtu dhe në dimër dhe që nuk ka patur ujë që prej formimit si zonë banimi. Së dyti, menjëherë pasi të përfundojë instalimi i sistemit të shpërndarjes së ujit, ne do të nisim rehabilitimin urban të zonës, dmth do të shtrohen rrugët dhe në raste të vecanta do të veprohet me trotuar, ndricim dhe gjelbërim, pra rikualifikim i plotë urban i zonës së Kodrës së Priftit.

Pas shtrimit të 15 km linjë të ujësjellësit Basha tha se do të ndërhyhet  për rehabilitimin e kolektorit në rrugen “Dalip Topi”. 

Top Channel