Egjiptiani i Guantanamos, reagojnë juristët

27/03/2012 00:00

Katie Taylor, nga organizata britanike Reprive, e cila ka marrë në
mbrojtje ligjore ish-të burgosurit e Guantanamos tha se është i
pakuptimtë moslejimi nga autoritetet shqiptare i shtetasit egjiptian
Sherif Almeshad, te vizitoje vendin e tij.

Gjatë një konference për shtyp zonja Taylor u shpreh se nuk ekziston asnjë pengesë ligjore nga Egjipti që Almeshad të shkojë për të takuar familjen. Jo më larg se tre ditë më parë theksoi ajo, Gjeorgjia lejoi një ish të burgosut në Guantanamo të rikthehej në Libi.

Të njëjtën gjë kanë bërë edhe vende të tjera anëtare të BE-së. Pasi ka falenderuar qeverinë dhe popullin shqiptarë për mikëpritjen, Sherif Almashad kërkoi që shteti shqiptar të respektojë të drejtën e tij për të udhëtuar pasi në historinë e tij nuk ka asgjë të paqartë. Ndërkohë edhe ndalimin për të mos udhëtuar jashtë Shqipërisë të bashkëshortes Drita Gjoni, e ka cilësuar si një hakmarrje ndaj tij. Avokati Shyqyri Dylgjeri deklaroi se shteti shqiptar është përballë një shkelje të pastër të nenit 16-1 të kushtetutës për lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë dhe të huaj.

“Të drejtat kushtetuese i garantohen si shtetasve shqiptarë edhe atyre të huaj. Dhe në rastin konkret shtetasi egjiptian Sherif Almashad dhe bashkëshortja shqiptare Drita Gjoni, pra cënimet e bëra nga autoritetet shqiptare janë të njëjta për të dy bashkëshortët.  Në rastin konkret themi se është një shkelje e hapur e të drejtave të tyre kushtetuese për të kaluar dhe lënë territorin shqiptar”, tha avokati.

Nëse nuk do të ketë një zgjidhje administrative të kësaj çështje avokati Dylgjeri u shpreh, se së bashku me dy klientët e tij do t’i drejtohen gjykatës. Sherif Almashad ka qëndruar në burguan e Guantanamos për 8 vjet. Që nga viti 2010 ai jeton në Tiranë pas pranimit nga qeveria shqiptare si azilant politik në bazë të një marrveshje pranimi me qeverinë amerikane. Historia e tij u bë publike për herë të parë nga Top Channel javën e shkuar.

Top Channel